Aliti dhe Hadërgjonaj: Luajmë me zemër ndaj Zvicrës, ja dalim me tifozët

Aliti dhe Hadërgjonaj: Luajmë me zemër ndaj Zvicrës, ja dalim me tifozët

20:36, 07/09/2023

Kosova ka mbajtur gjatë ditës së enjte stërvitjen e radhës para duelit me Zvicrën në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Edhe në këtë seancë stërvitore, që u mbajt në Kampin Nacional në Hajvali, përzgjedhësi Primozh Gliha ka punuar në detaje në aspektin taktik, në vendosjen sa më të mirë të ekipit në fushë. Por edhe në skema të ndryshme gjatë lojës.

Pas përfundimit të stërvitjeve të sotme kanë folur dy futbollistët e lindur e rritur në Zvicër: Fidan Aliti dhe Florent Hadërgjonaj. Të cilët janë shprehur optimistë se mund t’u kthehen rezultateve pozitive pikërisht kundër një kundërshtari të fortë si Zvicra.

“Këto tri ditë kemi punuar shumë taktikisht në përgatitje të lojës me Zvicrën. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe besoj se edhe këto dy ditë para ndeshjes na duhen përgatitje për të qenë të gatshëm për ndeshje. Është emocionuese, sepse kam lindur në Zvicër, familja jeton atje. Zvicra është një shtet dhe një kombëtare, ku me punë dhe disiplinë ka arritur në këtë nivel.

E dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë, por me tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre shpresojmë që tri pikët të mbesin këtu. Do të jetë emocion i madh të hyjmë në stadium, i cili do të jetë i mbushur përplot me tifozë. Mbështetja e tyre na bën më të fortë. Do të jetë e vështirë të fitohet ndeshja pa mbështetjen e tifozëve Dardanët. Na duhet mbështetja e tyre”, theksoi Fidan Aliti.


Ndërkaq, Florent Hadërgjonaj deklaroi se për të marrë rezultat pozitiv ekipi duhet të luftojë maksimalisht në fushë. Teksa zviceranët do të synojnë tri pikët, duke pasur parasysh se kanë ngecur në ndeshjet e kaluara.

“Kanë qenë tri ditë shumë intensive. Kemi punuar në anën taktike për ndeshjen kundër Zvicrës. Duhet të jemi të bashkuar, pasi e dimë se do të jetë një ndeshje e vështirë. Besoj se ekipi do të jetë gati për këtë përballje. Zvicra do të vijë për tri pikë. Kanë mungesë të pikëve dhe nuk do të vijnë të na falin pikë apo të luajnë ndeshje vëllazërore.

Do të vijnë për të fituar, pasi ashtu edhe e kanë mentalitetin. Na duhet mbështetje e madhe për të na motivuar, pasi luajmë këtu në ‘Fadil Vokrri’. Edhe po të luanim në Zvicër, stadiumi do të ishte i mbushur me shikuesit tanë. Por ndeshja këtu do të jetë diçka më speciale. Edhe për zviceranët do të jetë e veçantë, ashtu si edhe për ne.

Kur luajmë në shtëpi e japim maksimumin. Tifozët mbrapa na japin zemër dhe besoj se edhe në fushë duhet të luajmë me zemër, në mënyrë që edhe tifozëve t’u japim energji për të na përkrahur më shumë. Kemi ushtruar shumë fort dhe synimi është t’i kthejmë rezultatet pozitive për të kthyer përkrahjen edhe më të madhe të tyre.

Pasi së fundi ka qenë një kohë e vështirë ku na kanë munguar rezultatet, por tash e kemi rastin kundër një kundërshtari të fortë në shtëpi të kthejmë pozitivitetin”, u shpreh Hadërgjonaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco