Mourinho: Kam ndryshuar shumë si trajner, Roma është jeta ime e dytë

Mourinho: Kam ndryshuar shumë si trajner, Roma është jeta ime e dytë

10:27, 07/08/2023

Ai konsiderohet si një nga trajnerët më të mirë në botë, një teknik që ka fituar shumë gjatë karrierës së tij, që është ulur në disa nga stolat më prestigjiozë ndonjëherë dhe që revolucionarizoi mënyrën e menaxhimit të një ekipi brenda dhe jashtë fushës.

Jose Mourinho po përgatitet të fillojë sezonin e tij të tretë në krye të Romës dhe këtë po e bën me qëllimin e tij të zakonshëm; të arrijë rezultatin më të mirë të mundshëm.

Në krye të verdhekuqve ai ka fituar tashmë një Ligë Konference dhe ishte afër triumfit në “Europa League”, duke fituar kështu një vend në historinë e klubit kryeqytetas italian.

Në një intervistë të gjatë me “Corriere dello Sport”, Mourinho shpjegoi pse zgjodhi Romën në verën e vitit 2021: “Kur punoni për një klub si Real Madridi, Manchester United, Chelsea, nëse lançoni një lojtar të ri në sezon, ju tashmë keni bërë më të mirën. Në këtë fazë të karrierës sime kisha nevojë për stabilitet, ndjeva se diçka tek unë kishte ndryshuar. Doja të shkoja dhe të fitoja diku tjetër”.

Mourinho fitoi shumë duke udhëhequr disa nga klubet më të mira evropiane dhe në Romë u përball me një realitet tjetër. Të fitosh me verdhekuqtë është më e ndërlikuar, por “Special One” është i kënaqur me zgjedhjen që ka bërë:

“Natyrisht për mua kthimi në Itali nuk do të thoshte të shkoja në të panjohurën, ky është një vend që e njoh mirë në nivel kulturor, historik dhe sportiv. E dija që Roma ishte një klub absolutisht fantastik, në aspektin social, por edhe nga pikëpamja e historisë së futbollit.

Roma kishte fituar pak, pavarësisht shumë trajnerëve të mirë dhe lojtarëve të nivelit të parë, si dhe investimeve. Kur njihni lojtarët e Romës, pyesni veten pse është fituar kaq pak. A ka mundësi që nuk mund të bësh diçka ndryshe për ta ndihmuar klubin, pronarët e rinj? Nëse më pyesni tani a jam penduar për zgjedhjen, ju përgjigjem jo. Absolutisht jo”.

Mourinho ka shpjeguar se si i përjeton vështirësitë dhe si arrin të mos e humbasë durimin: “Jo çdo gjë po shkon mirë, por edhe unë kënaqem me vështirësitë. Zemërohem për një orë dhe menjëherë pas kësaj kthehem pozitiv. Nuk bie në depresion, nuk kërcënoj, nuk them se më kanë premtuar qiell e tokë…

Një gjë që nuk mund ta ndryshoj është natyra ime, nuk jam nga ata që flas budallallëqe. Përsa i përket sulmuesit imagjinar, mund t’ju them se edhe nëse Mbappe arrin javën e ardhshme, ai përsëri do të jetë vonë”.

Roma do të detyrohet të bëjë pa Tammy Abraham në sulm për muaj të tërë dhe, me fillimin e kampionatit, vetëm pak kohë larg, klubi nuk ka arritur ende të vërë në dispozicion të Mourinhos një sulmues të ri:

“Pas largimit, në thonjëza, të Tammy, ne jemi në një situatë që asnjë trajner në botë nuk do ta dëshironte. E kam të pamundur të them se jam i lumtur. Por të thuash që jam në luftë të hapur me klubin, me Pinton, se nuk jam i lumtur, është shumë gabim. Pinto e di që jemi vonë, edhe pronarët e dinë. Në fund të fundit vuajnë realisht ata që punojnë dhe që kundër Salernitanës do të duhet të hyjnë në fushë me ekipin më të mirë të mundshëm.

 

Siç dëshiron Papa Francesco, sidomos në vështirësi, përsërit se vështirësitë janë pjesë e jetës, pa vështirësi është më e vështirë të përjetosh gëzime të mëdha. 20 vite më parë do të isha dëshpëruar me këtë situatë, do të isha inatosur. Nga Chelsea im i parë u largova sepse isha vërtet në luftë me një drejtor sportiv. Nuk më pëlqeu, nuk kisha marrëdhënie, merkato ishte katastrofë, ishte viti 2008. Sot jemi më 2023 dhe unë jam dikush tjetër”.

Gjatë javëve të fundit është folur shpesh për Moratën si përforcim në sulm për Romën, por vetë sulmuesi spanjoll e ka përjashtuar mundësinë e kalimit te verdhekuqtë.

“Thjesht po ju them se nuk është Mbappe. Nuk është Mbappe, por gjithmonë mendoj, edhe kur nuk pajtohemi, se Pinto dëshiron të njëjtat gjëra që dua edhe unë”.

 

Për të dytin vit radhazi, Paulo Dybala do të jetë njeriu kryesor i Romës: “Kur erdhi 1 gushti dhe klauzola nuk mund të ushtrohej më, unë flija më mirë. Ai është i nivelit më të lartë, për ne është flori, nuk mund të heqim dorë. Detyrohemi të bëjmë pa të vetëm sepse është i lënduar, ose sepse është i lodhur a është kthyer i konsumuar nga kombëtarja. Cilësia e tij si lojtar nuk më befasoi aspak. Është i përulur, i respektueshëm me kolegët.

“Special One” zbuloi se ka marrë oferta nga Al-Hilal dhe Al-Ahli: “Po. Përpara se të shkoja në mbledhje njoftova pronarët duke sqaruar se nuk kisha ndërmend t’i pranoja si oferta. Në shtëpi thashë pikërisht të njëjtën gjë. Nga njëra anë u ndjeva si i burgosur i fjalës së dhënë për lojtarët në Budapest dhe për tifozët pas Spezias, duke imituar qëndrimin. Por nëse më pyesni që nuk kam pranuar vetëm për këtë arsye, ju përgjigjem: jo, jo vetëm për këtë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco