Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Trajneri i Egnatias: Përforcimet e Ararat s’na trembin, ia dalim me ndihmën e tifozëve

Trajneri i Egnatias: Përforcimet e Ararat s’na trembin, ia dalim me ndihmën e tifozëve

21:32, 19/07/2023

Egnatia, në provën e së vërtetës. Klubi rrogozhinas, që luan për herë të parë në Europë, gjendet pranë momentit historik të kualifikimit, me optimizmin që është shumë i madh pas barazimit premtues 1-1 në ndeshjen e parë në fushën e Ararat Armenia.

Në konferencën për shtypin në prag të ndeshjes së kthimit të turit të parë të Conference League, foli trajneri Edlir Tetova.

“Timonieri” i Egnatias u shfaq shumë optimist, teksa theksoi se atmosfera brenda në skuadër është tejet pozitive.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Gjatë javës, stërvitjet kanë qenë me shumë intensitet. Jam i kënaqur për atë që ka shfaqur grupi deri në këtë moment. Sa i takon ndeshjes, gjithçka do t’i përkasë ditës së enjte. Kemi parë që kundërshtari ka afruar futbollistë të tjerë, por besoj që grupi i tyre me aq sa kemi parë gjatë këtyre ditëve do të jetë i njëjtë. Shpresojmë për më të mirën”.

Më pas, Tetova foli edhe për pengjet e ndeshjes së parë, ku theksoi që loja e mirë e zhvilluar nga ekipi i tij nuk iu përshtat rezultatit dhe se skuadra e tij meritonte më shumë nga ndeshja e luajtur në Armeni.

“Loja nuk iu përshtat rezultatit. Ky është një fakt që u pa nga të gjithë. Shpërdoruam mundësi të arta për ta fituar ndeshjen, por ashtu siç shkoi morëm një gol nga një goditje standarde që mund ta evitonim. Por, ajo që na kënaq më shumë është që barazuam ndeshjen dhe në sfidën e dytë shpresojmë të marrim një rezultat të favorshëm”.

Në fund të prononcimi të tij, numri një i Egnatias bëri një apel edhe për tifozët. Teksa u shpreh se çdo ekip ka nevojë për mbështetjen e tifozëve për të arritur rezultatin më të mirë.

“Çdo ekip ka nevojë për tifozët. E kemi thënë dhe përpara, ata janë gjithmonë lojtari i 12-të. Shpresoj t’i kemi në numër të konsiderueshëm për sfidën ndaj Ararat”.

Në krah të teknikut Tetova, u shfaq dhe zv.kapiteni i Egnatias, Renato Malota, i cili foli për rëndësinë e madhe që ka eksperienca në ndeshje të të tilla niveleve.

“Përvoja dhe eksperienca luajnë një rol shumë të madh, sidomos në ndeshjet e Kupave të Europës që luhen në mënyrë direkte me sistem vajtje-ardhje. Siç e pamë edhe në ndeshjen e parë, lojtarët me eksperiencë dhanë maksimumin. Ne që kemi eksperiencë, mundohemi ta ndihmojmë ekipin në momentet më vendimtare.

Të pësosh gol nuk është pak në fushë kundërshtare, por ne në asnjë moment nuk e lëshuam ndeshjen. Dhe besuam deri në fund. Kjo solli dhe barazimin e rezultatit dhe në ndeshjen e radhës do japim sërish maksimumin tonë që të ndihmojmë ekipin që ta kalojë me sukses këtë tur”.

Egnatia do të mirëpresë armenët e Ararat të enjten në orën 20:00 për ndeshjen e kthimit në ”Elbasan Arena”, ku do të shpresojë që të bëjë historinë dhe të kalojë për herë të parë një tur në Europë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco