Miqësoret me Maqedoninë e Veriut U-17/ Trajneri Behari: Kemi një risi në listë, ja për çfarë na shërbejnë

Miqësoret me Maqedoninë e Veriut U-17/ Trajneri Behari: Kemi një risi në listë, ja për çfarë na shërbejnë

15:11, 23/06/2023

Kombëtarja U-17 nisi dje grumbullimin dhe ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Pogradec në kuadër të dy sfidave miqësore kundër Maqedonisë së Veriut, që do të luhen më 26 dhe 28 qershor.

21 kuqezinjtë e thirrur nga trajneri Ardi Behari janë grumbulluar në Pogradec, ndërsa të dyja sfidat miqësore do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”.

Tekniku shqiptar, i cili debuton në krye të Shqipërisë U-17 me ndeshjet kundër Maqedonisë së Veriut komenton për fshf.org edhe listën me 21 lojtarët e grumbulluar për këto dy miqësore.

Baza e lojtarëve është ajo që ka qenë, ndërsa risi është vetëm emri i Fabio Nuhut.

Trajneri Behari nënvizon se këto dy takime janë të rëndësishme jo vetëm për të kolauduar sa më shumë grupin, por gjithashtu edhe për të fituar e për të rritur mentalitetin fitues brenda ekipit.

Koment për listën me 21 lojtarët e grumbulluar – Është në kuadër të vijimësisë së punës së Federatës. Janë grup ekzistent, që kanë qenë gjithmonë të grumbulluar në ekipet tona kombëtare. Ka vetëm një risi kjo listë, Fabio Nuhun nga Olimpiakosi. Është një lojtar i datëlindjes 2008 që premton shumë dhe është hera e parë që vjen në Kombëtaren shqiptare.

Çfarë presim nga Shqipëria U-17 në këto dy miqësore? – Kolaudimin e grupit që është më kryesorja, vazhdimin e njohjes së lojtarëve me njëri-tjetrin, automatizimin e veprimeve dhe ajo që është më kryesorja, vijueshmërinë e rezultateve. Është një grup që ka pasur gjithmonë rezultate të mira, kualifikimin në ‘Elite Round’, fitimin e turneut të fundit ‘UEFA Development’.

Do të kemi teste të tjera në vijim. Agjenda është shumë e mbushur, jo vetëm me lojtarët që vijnë nga jashtë, por më së shumti me lojtarët që kemi në dispozicion në Shqipëri. Jo vetëm kolaudimi, por edhe fitorja është shumë e rëndësishme. Për të rritur mentalitetin fitues, për t’i bërë lojtarët krenarë për fanellën që veshin dhe të fillojmë që tani të ndërtojmë një brez që ka qenë dhe që është në vijimësi të të gjithë skuadrave kombëtare.

A mund ta përsërisë Shqipëria suksesin duke u kualifikuar sërish në ‘Elite Round’? – Kjo është përgjegjësia ime. Kam një përgjegjësi shumë të madhe për të vazhduar këtë sukses që ata kanë arritur. Të gjitha shanset janë. Do t’i bëjmë hyzmetin e duhur në çdo hap. Mundësitë janë, do t’i provojmë të gjitha bashkë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco