Licenca ‘UEFA C’/ Diplomohen 39 trajnerë të rinj në qytetin e Korçës

Licenca ‘UEFA C’/ Diplomohen 39 trajnerë të rinj në qytetin e Korçës

12:40, 23/06/2023

Kursi për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar për herë të parë nga Federata Shqiptare e Futbollit në zonën e Korçës ka mbyllur me sukses edicionin e tij të parë me diplomimin e 39 pjesëmarrësve që ishin pjesë e këtij kursi.

Në ceremoninë e rastit të organizuar me grupin e trajnerëve më të rinj korçarë ishte i pranishëm anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Ylli Çekiçi, si edhe drejtues të Sektorit të Edukimit në FSHF, të cilët kanë organizuar programin dhe janë kujdesur edhe për mbarëvajtjen e këtij kursi për formimin sa më cilësor të trajnerëve të rinj.

Anëtari i KE-së së FSHF-së, Ylli Çekiçi i uroi shumë suksese të gjithë të licencuarve dhe i ftoi të ndjekin ëndrrën e tyre dhe të kontribuojnë për të zhvilluar futbollin në vendin tonë.

Kursi për trajnerët e licencës UEFA C nisi në muajin maj dhe zgjati gati 3 muaj, teksa të gjitha leksionet janë zhvilluar në qytetin e Korçës nën kujdesin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Korçë, pasi sipas direktivave të UEFA-s, “licenca” duhet të shkojë te trajneri, për të pasur një shpërndarje të këtij kursi në të gjithë vendin dhe për të përmirësuar dhe për të rritur cilësinë e trajnerëve.

Në edicionin e parë të këtij kursi morën pjesë 39 të apasionuar pas futbollit, të cilët me pajisjen me licencën ‘UEFA C’ mund të ushtrojnë profesionin e trajnerit në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.

Interesi i lartë për licencën e trajnerit UEFA C ka bërë që Federata Shqiptare e Futbollit ta shtrijë kursin në të gjitha rajonet e vendit dhe të shkojë më afër të gjithë atyre që janë të interesuar për të t’u përfshirën në botën e bukur të trajningut.

Veç Tiranës, ky kurs është organizuar edhe në Fier, Shkodër e Korçë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco