Verstappen barazon legjendën braziliane, në horizont dy të tjerë. Titulli Botëror thjesht formalitet!

Verstappen barazon legjendën braziliane, në horizont dy të tjerë. Titulli Botëror thjesht formalitet!

09:45, 19/06/2023

 

Çmimi i Madh i Kanadasë në pistën e “Gilles Villeneuve” nuk dhuroi asnjë surprizë. Max Verstappen i nisur nga vendi i parë, dominoi për të gjithë kohën duke udhëhequr garën në çdo xhiro të saj. Holandezi ishte i pakapshëm duke e mbyllur garën me më shumë se nëntë sekonda diferencë nga ndjekësi i tij më i afërt, Fernando Alonso.

Për dy herë Kampionin e Botës, kjo ishte fitorja e 41-të në Formula 1 duke barazuar një legjendë të këtij sporti si Ayrton Senna. Në këtë sezon, Verstappen dhe RedBulli i tij duken të pandalshëm teksa holandezi vendoset në ndjekje të tjera rekordeve që kërkon t’i përvetësojë në Formula 1. Në shënjestër janë dy legjenda të tjera si Alain Prost dhe Sebastian Vettel që kanë fituar respektivisht 51 dhe 54 gara në karrieren e tyre dhe që mund të kalohen që në këtë sezon nga Verstappen.

Triumfi në Kanada ishte i gjashti nga tetë gara të zhvilluara në këtë sezon, teksa 25-vjeçari ka arritur mbledhë deri më tani 195 pikë dhe ndiqet në vendin e dytë nga shoku i skuadrës, Sergio Perez me 126 pikë ndërsa në vend të tretë është Fernando Alonso me 117 pikë. Në këtë formë, Verstappen duket i sigurt drejt titullit të tretë Botëror, edhe pse ende ka më shumë se 10 gara deri në fundin e sezonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco