Kategoria e Parë / Elbasani ngre titullin te 13-vjeçarët, Shënkolli kampion për grupmoshat U-14 & U-15

Kategoria e Parë / Elbasani ngre titullin te 13-vjeçarët, Shënkolli kampion për grupmoshat U-14 & U-15

20:00, 19/05/2023

Kampionati i Kategorisë së Parë U-15, U-14 dhe U-13 ka dhënë verdiktet finale ditën e sotme, teksa janë shpallur tre kampionët e këtyre grupmoshave për këtë sezon futbollistik.

Shënkolli është shpallur ekipi kampion i Kategorisë së Parë U-15 për edicionin 2022-2023! Lezhjanët e kishin siguruar më parë titullin kampion, teksa në ndeshjen e fundit të kampionatit, u mundën në shtëpi nga skuadra e AK Shqiponjat me rezultatin 1-0. Pavarësisht se Shënkolli e kishte siguruar vendin e parë, në takimin e zhvilluar këtë të premte në Shënkoll nuk munguan emocionet dhe spektakli. Në ceremoninë e zhvilluar në përfundim të sfidës, legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari  i dorëzoi trofeun e kampionit djemve të Shënkollit, të cilët përveçse u shpallën kampionë të Kategorisë së Parë, siguruan edhe ngjitjen në kampionatin ‘Abissnet Superiore’ për edicionin e ardhshëm.

Sakaq, po këtë të premte janë dhënë edhe verdiktet në kampionatin kombëtar të Kategorisë së Parë U-14. Shënkolli – Erzeni ishte takimi ‘final’ që përcaktoi edhe kampionin e këtij edicioni. Edhe në këtë kampionat, lezhjanët ngritën trofeun e kampionit, pasi mundën shijakasit me rezultatin 4-0. Pas përfundimit të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut të titullit dhe medaljeve për lojtarët e Shënkollit.

Ndërkaq, në kampionatin e Kategorisë së Parë për grupmoshën U-13, ekipi i AF Elbasanit u shpall kampion i kësaj moshe për këtë edicion futbollistik. Në takimin e fundit të kampionatit, elbasanllinjtë e vegjël luajtën kundër ekipit të Shënkollit në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës së AF Elbasanit. Në ceremoninë e zhvilluar nga Federata e Futbollit në fund të sfidës, kryetari i Shoqatës Rajonale të Elbasanit, Ilirjan File i dorëzoi medaljet dhe trofeun e kampionit ekipit të AF Elbasanit U-13.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco