Puna me fëmijët dhe stërvitja e personave me aftësi të kufizuara, trajnerët e rinj që marrin licencën UEFA C

Puna me fëmijët dhe stërvitja e personave me aftësi të kufizuara, trajnerët e rinj që marrin licencën UEFA C

15:28, 19/04/2023

Kursi për trajnerët e licencës UEFA C u përmbyll këtë të mërkurë për të gjithë qytetin e Tiranës, ku u diplomua edhe grupi i dytë i kursantëve që morën pjesë në këtë kurs për këtë edicion.

Ceremonia e diplomimit të grupit të dytë të trajnerëve të rinj u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit nën kujdesin e Sektorit të Edukimit në FSHF, si edhe dy trajnerëve të ekipeve kombëtare U-15 dhe U-18, Armand Damo dhe Ardi Behari.

Në këtë kurs që nisi në fillim të muajit shkurt dhe përfundoi ditën e sotme morën pjesë jo vetëm ish-futbollistë e mësues të edukimit fizik, por edhe njerëz të thjeshtë, të cilët janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë një karrierë në sportin më popullor në botë.

Drejtuesi i Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova mbajti një fjalë përshëndetëse përpara se të zhvillohej ceremonia e shpërndarjes së diplomave, duke i uruar shumë suksese trajnerëve të rinj në botën e bukur të futbollit.

Ndërkaq, për fshf.org, dy nga pjesëmarrësit e këtij kursi treguan më shumë detaje rreth kësaj eksperience të veçantë, ndërsa shprehën hapur dëshirën për t’u bërë edhe pjesë e kurseve të tjera në vijim.

Mësuesja e lëndës së ‘Edukimit Fizik’, Denisa Gajda, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e këtij kursi, që i vlejti asaj për të mësuar më shumë si edhe për të sistemuar gjërat që ajo dinte, për t’u bërë një trajnere e mirëfilltë futbolli.

Nuk mungoi as falënderimi për institucionin e futbollit, që i jep mundësinë djemve e vajzave të bëhen pjesë e kësaj fushe të veçantë.

“Jam Denisa Gajda, kam mbaruar Universitetin e Sporteve të Tiranës. Punoj si mësuese e Edukimit Fizik në shkollën ‘Marie Kaçulini’ në Durrës. Jam shumë e lumtur që isha pjesë e këtij trajnimi, pasi puna jonë është me fëmijët. Nëpërmjet këtij kursi, ne do të rrisim nivelin e trajnimit me fëmijët e vegjël, aty ku është edhe baza. Në këtë kurs mësuam shumë gjëra që nuk i dinim, ose disa gjëra edhe i dinim, por i sistemuam se si dhe ku t’i përdorim me fëmijët e vegjël. Jam shumë e lumtur dhe falënderuese për FSHF-në, për këtë mundësi që na dha dhe shpresoj që në të ardhmen të jemi trajnerë shumë të mirë të fëmijëve dhe pse jo, edhe kategorive më të larta. Ky kurs do të na vlejë shumë dhe sinqerisht, faleminderit për gjithçka Federatës Shqiptare të Futbollit” – tha mësuese Denisa për fshf.org.

Një kursant mjaft i veçantë ishte edhe Lulzim Mustafaj, i cili në jetën e tij të përditshme merret me njerëzit me aftësi të kufizuara, me të amputuarit. Në prononcimin e tij për fshf.org, Lulzimi e konsideron një eksperiencë mjaft të veçantë këtë periudhë që ishte pjesë e kursit, duke thënë se ai ka dëshirë që t’i mësojë personat me aftësi të kufizuara të ndjekin futbollin dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.

“Jam Lulzim Mustafaj dhe punoj me të amputuarit. Bëra kursin UEFA C dhe me shpresë do të vazhdoj të ndjek edhe kurset UEFA B dhe UEFA A, që të kem mundësi që të ndihmoj personat që janë me aftësi të kufizuara dhe që ndjekin botën e futbollit. Nuk i është dhënë shumë mundësi, por me ndihmën e Federatës dhe me ndihmën tonë gjithashtu do të shkojmë edhe më tej, duke i ndihmuar ata edhe më shumë. Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Dua të ndjek kurset e tjera që të mësoj sa më shumë vetë dhe t’u mësoj të tjerëve që të ndjekin ëndrrat e tyre. Shumë persona me aftësi të kufizuara duan të ndjekin futbollin, por për shkak se nuk i jepet mundësia nuk vazhdojnë më tej. Dhe ne duam t’ua japim këtë mundësi që të ndjekin futbollin”, – tha Lulzimi për fshf.org.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco