VIDEO-SYRI TV/ Ish-deputeti i PS, dhunon arbitrin. Ngjarja në duelin Gramshi-Valbona

15:35, 26/02/2023

Dhuna zbret sërish në fushat e futbollit në Shqipëri. Gjatë duelit të Kategorisë së Dytë mes Gramshit dhe Valbonës, ish-zyrtari i PS, Dritan Bici dhe djali i tij, Andrit Bici goditën arbitrin e takimit, pasi ky i fundit akordoi një penallti për ekipin mik, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për qetësimin e situatës

Nga SYRI TV

Rikthehet dhuna në futbollin shqiptar. Një ngjarje e paprecedentë u regjistrua në minutën e 54-t, në duelin mes Gramshit dhe Valbonës, takim i vlefshëm për kategorinë e dytë të futbollit në vend.

Gjyqtari Anxhi Lushi, akordoi një penallti në favor të miqve, teksa për këtë vendim u sulmua fizikisht nga presidenti i Gramshit, me iniciale A. B., 24-vjeç, teksa në atë moment ndeshja u ndërpre dhe nuk filloi më.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Policia bën me dije, se ka nisur procedimi penal për shtetasit A. B., 24 vjeç dhe D. B., 58 vjeç, banues në Gramsh (babë e bir). Burime për SYRI. net bëjnë me dije se presidenti i ekipit të Gramshit, Andrit Bici 24 vjeç dhe babai i tij, Dritan Bici, kanë goditur me grushte arbitrin pasi ky i fundit akordoi penallti për ekipin e Valbonës.

Kujtojmë se i njëjti person, Dritan Bici nuk është i panjohur për veprimet e tij në fushën e blertë, pasi vite me parë kur ishte kryebashkiak nën siglën e PS është futur në fushën e lojës me makinë duke thyer rrethimin e stadiumit të Gramshit gjatë ndeshjes Gramshi-Mamurrasi dhe ka tentuar të dhunojë arbitrin e takimit.

Dritan Bici ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën 2017-2021 nga radhët e PDIU-së.

Sipas njoftimit të policisë, tashmë ndaj këtij shtetasi rëndojnë akuzat për veprën penale ‘Kundërshtimi i punonjësve të Policisë’, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të djalit të tij, shtetasit A. B.

Nga ana tjetër, ndaj këtij të fundit rëndojnë akuzat për veprat penale ‘Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit’ dhe ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco