Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Sekretari i Përgjithshëm i Ligave Europiane, Colombo, viziton Shqipërinë: Futbolli këtu ka bërë hapa përpara

Sekretari i Përgjithshëm i Ligave Europiane, Colombo, viziton Shqipërinë: Futbolli këtu ka bërë hapa përpara

11:35, 15/02/2023

Sekretari i Përgjithshëm i European Leagues (Ligave Europiane), Alberto Colombo, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri, ku u takua me drejtuesit më të lartë të FSHF-së dhe me anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit në vendin tonë.

Fillimisht, Colombo u prit në një takim në Shtëpinë e Futbollit nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ndërsa pati mundësinë të bënte edhe një tur për t’u njohur më nga afër me muzeun dhe mini-stadiumet që ndodhen brenda kompleksit e që janë thuajse të përfunduara.

Në këtë takim ai njoh me zhvillimet e futbollit shqiptar, projektet e FSHF-së si edhe me mbrojtjen e të drejtave të futbollit vendas, klubeve, lojtarëve dhe të tifozerisë. European Leagues është një nga organizatat më të rëndësishme të futbollit në Europë që ka mbi 40 anëtarë e që bashkëpunon ngushtë me UEFA-n. Colombo vlerësoi rritjen e futbollit shqiptar dhe punën që po bëhet për forcimin e LPF-së dhe organizimin e klubeve në një institucion që mbron e promovon të drejtat e tyre me synimin për të arritur një nivel sa më të lartë profesional.

Më tej, Albert Colombo zhvilloi një vizitë edhe në kompleksin “Partizani” ku u prit nga drejtuesit e klubit kryeqytetas dhe u njoh me investimin madhor të kryer, që konsiston në stadiumin e ri, dy fushat e reja stërvitore që po ndërtohen edhe me mbështetjen e FSHF-së apo hotelit të klubit. Sekretari i Përgjithshëm i European Leagues u shfaq i impresionuar për këtë investim dhe shprehu bindjen se vepra të tilla do ta ndihmojnë shumë klubin e Partizanit në veçanti, por edhe futbollin shqiptar në përgjithësi që të rritet vazhdimisht.

Në vijim vizita u spostua në stadiumin “Air Albania”, aty ku Alberto Colombo zhvilloi një takim me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, Kryetarin e LPF-së, Edvin Libohova, Sekretarin e Përgjithshëm të LFP-së, Dritan Kadia dhe përfaqësuesit e 10 klubeve anëtare të ligës.

Gjatë takimit u diskutua për benefitet e anëtarësimit të LPF-së në Ligat Europiane dhe për mbështetjen konkrete që organizata e njohur ndërkombëtare mund t’u japë klubeve shqiptare, anëtare të LPF-së.

“Qëllimi kryesor i FSHF-së, i LPF-së dhe gjithkujt që merret me futbollin është zhvillimi i futbollit, i futbollit të fëmijëve, sigurimi i të ardhmes, por gjithsesi hapi i parë krijimit të Ligës padyshim që ka qenë bashkimi i klubeve të “Abissnet Superiore”. E mira dhe perspektiva do të ishte bashkimi i të githë klubeve profesioniste, sepse të gjithë duhet të bashkojnë forcat për të pasur më shumë të ardhura”, – tha Presidenti Duka.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i EL, Alberto Colombo, vlerësoi mundësinë për t’u takuar me drejtuesit e klubeve dhe gjithashtu u shpreh i impresionuar për zhvillimet që ka pasur futbolli shqiptar si edhe për mbështetjen që FSHF po i jep rritje së Ligës Profesioniste të Futbollit.

“Ishte një takim interesant, mundësia e parë për Ligat Europiane që të zhvillonim këtë vizitë në bashkëpunim me Ligën Profesioniste të Futbollit. Kemi përgëzuar iniciativën për krijimin e kësaj lige, pasi është një hap thelbësor në procesin e zhvillimit të futbollit profesionist në Shqipëri, duke punuar së bashku nën kujdesin e Ligës. Ishte shumë interesante për mua të kuptoja se bashkëpunimi mes klubeve, Ligës dhe FSHF-së shkon në të njëjtin drejtim. Sigurisht jam shumë i kënaqur që kam parë nga afër zhvillimin madhor të futbollit në Shqipëri. Kam vizituar kompleksin Shtëpia e Futbollit, ku janë edhe zyrat e FSHF-së, stadiumet e reja, siç është ‘Air Albania’ apo edhe stadiumin e ri të Partizanit. Të gjitha këto zhvillime po e çojnë futbollin shqiptar në drejtimin e duhur. Jemi shumë të lumtur që LPF-ja ka vendosur të bëhet anëtare e Ligave Europiane dhe ne besojmë se ky hap do t’i ndihmoj klubet të rrisin më tej standardizimin e futbollit profesionit në vend”, – tha Colombo në një prononcim gjatë takimit.

I pyetur për mesazhin që ai ka për klubet shqiptare, përfaqësuesi i Liga Europiane theksoi se është e rëndësishme që të punohet së bashku për të rritur nivelin e profesionalizmit dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura përmes të drejtave komerciale.

“Unë mendoj se kjo është një mundësi unike me krijimin e Ligës që të ecim bashkë për profesionalizimin e futbollit dhe është e rëndësishme që vazhdojmë bashkëpunimin me FSHF-në, por klubet në të gjithë Europën, jo vetëm në Shqipëri, duhet të mendojnë në mënyrë më të pavarur për të gjeneruar të ardhurat e tyre, të investojnë në infrastrukturën e tyre në drejtim të ambienteve dhe në futbollin e të rinjve dhe të ecin bashkë për të krijuar një nivel më të lartë konkurrence. Vendimi i klubeve në bashkëpunim me FSHF-në për të krijuar Ligën është i duhuri. Futbolli profesionist nëpër Europë po punon nën ombrellën e një lige kështu që vendimi për të krijuar LPF-në dhe për t’u bërë anëtare e Ligave Europiane do të sjellë benefite në aspektin e politikave institucionale, por edhe në aspektin e çështjeve komerciale në drejtim të gjenerimit në të ardhmen të të ardhurave për futbollin në vend”, – tha Alberto Colombo.

Edhe Kryetari i LPF-së, Edvin Libohova, u shpreh i kënaqur për mundësinë e organizimit të këtij takimi mes klubeve dhe zyrtarit të Ligave Europiane, ku të gjitha palët patën mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe mendimeve për të gjeneruar sa më shumë të ardhura për zhvillimin e futbollit.

“Ky takimi ka rëndësinë e madhe sepse është i pari që ne organizojmë me një nga drejtuesit më të lartë të Ligave Europiane, ku ne jemi bërë anëtarë në muajin nëntor. Qëllimi i takimit ishte ëpr të shkëmbyer eksperienca dhe mendime lidhur me mënyrën e organizimit, të gjenerojmë sa më shumë të ardhura për klubet tona. Sigurisht duke qenë në një periudhë tranzitore të organizimit të Ligës bashkëpunimi me FSHF-në është mëse i rëndësishëm dhe kjo nuk ndodh vetëm tek ne, por eksperienca e shumë vendeve na tregon se bashkëpunimi me federatat sjell një rritje graduale derisa në një moment ato forcohen për të qenë të afta dhe të pavarura. Takimi do të na shërbejë për të ndërgjegjësuar më tepër klubet për të kuptuar rëndësinë e Ligës, jo thjesht si një institucion thjesht për emër, por si një institucion ku ato të mblidhen së bashku, të vendosin, të marrin eksperienca dhe të mund të gjenerojnë të ardhura nga shitja e të drejtave të tyre që kanë qoftë për të drejtat televizive, për shitjen e të drejtës së vendosjes së basteve apo edhe në mënyrën e shpërndarjes ë fondit të slolidaritetit, që ishin edhe tre nga çështjet më kryesore të diskutuara sot”, – tha Libohova në prononcimin e tij pas takimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco