Milan-Tottenham në Champions, Conte: Emocione të mëdha që kthehem në ‘San Siro’

Milan-Tottenham në Champions, Conte: Emocione të mëdha që kthehem në ‘San Siro’

22:27, 13/02/2023

Antonio Conte kthehet në “San Siro”, aty ku dy vite me parë festoi titullin kampion me Interin.

Trajneri italian vjen tani si kundërshtar, në drejtimin e Tottenhamit dhe përballë nuk do të ketë zikaltrit, por Milanin e Stefano Piolit, një trajner të cilin ka treguar se e respekton maksimalisht.

“Të kthehem në “San Siro” më krijon emocione të mëdha. Kam kaluar dy vite intensive dhe të bukur, ku ia dolëm që të bënim diçka të rëndësishme për Interin. Të kthehesh të krijon emocione shumë të forta për mua por edhe për lojtarët, për të cilët është diçka e jashtëzakonshme.

Do të përballemi me kampionët e Italisë dhe e dimë se sa e vështirë është të fitosh Serinë A. Ata kanë qenë të jashtëzakonshëm. Do të jetë një ndeshje me siguri e vështirë mes dy skuadrash që do të përpiqen të kalojnë njëra-tjetrën.

Luhatjet e ekipit? Ia kishim dalë të gjenim në vitin e kaluar një vazhdimësi të rëndësishme, duke ia dalë të siguronim Ligën e Kampioneve, një objektiv i papritur. Këtë vit jemi rinisur në mënyrën e duhur por kemi filluar që të pësojmë dëmtime sidomos në repartin e avancuar. Kemi situata me ulje e ngritje. Mendoj se nëse ke si synim diçka të rëndësishme, është e rëndësishme edhe të kesh qëndrueshmëri. Mundohem të punoj në këtë aspekt, Anglia nuk është Italia. Ne jemi më të përqendruar nga kjo pikëpamje ndërsa në Angli nuk është kaq e thjeshtë të mbash përqendrimin në çdo ndeshje.

Raporti me Piolin? Më ka ndodhur shpesh t’i bëj komplimente trajnerëve që kanë fituar apo më kanë mundur në të njëjtin kompeticion. I duhen dhënë meritat atij që ka qenë më i mirë dhe Stefano kishte një rrugëtim të gjatë për të arritur deri te fitorja.

Jam i sigurt se e meritonte shumë më parë dhe ajo që ka bërë me Milanin vitin e kaluar ishte me të vërtetë e pabesueshme, duke krijuar alkiminë, kompaktësinë dhe përqendrimin e duhur për të fituar kampionatin. E ndjeva si detyrim t’i dërgoja një mesazh urimesh dhe ia kam përsëritur edhe personalisht kur jemi takuar”, shpjegoi Conte para gazetarëve në konferencën e fundit për shtyp.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco