Kombëtarja U-15 nis grumbullimin, Damo: Kemi shumë cilësi, krijojmë bazën për ekipet kuqezi të moshave

Kombëtarja U-15 nis grumbullimin, Damo: Kemi shumë cilësi, krijojmë bazën për ekipet kuqezi të moshave

21:42, 13/02/2023

Kombëtarja shqiptare U-15 ka nisur tashmë grumbullim disa ditor me lojtarë të vitlindjes 2009, teksa në dispozicion të stafit teknik janë vënë 24 lojtarët e përzgjedhur.

Skuadra ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore në ambientet e kompleksit Tropikal në Durrës, ndërsa trajneri Armand Damo do të ketë mundësinë që për tre ditë të testojë e të vëzhgojë nga afër elementët e përzgjedhur në këtë grumbullim të rëndësishëm për formimin e ekipit bazë.

Për trajnerin e skuadrës kuqezi, grumbullimi është i rëndësishëm për të parë nga afër lojtarët më të talentuar të vitlindjes 2009 pas seleksionimeve të vazhdueshme në zonat rajonale dhe turneut të ekipeve përfaqësuese rajonale të organizuar nga FSHF në fillim të vitit.

“Ky është grumbullimi i parë që ne po organizojmë me lojtarët e vitlindjes 2009 , i kemi parë e vëzhguar nëpër seleksionimet e zhvilluara rregullisht në zonat rajonale ashtu si edhe gjatë turneut të përfaqësueseve rajonale të FSHF në janar dhe kemi përzgjedhur rreth 30 lojtarë të cilët janë të një nivel më të mirë.

Aktualisht ne kemi në këtë grumbullim 24 lojtarë, ndërsa në grumbullimet e tjera do të marrim edhe disa lojtarë të tjerë e të shikojmë pastaj më nga afër cilësitë dhe karakteristikat e tyre, të kuptojmë ku duhet punuar më mirë dhe çfarë duhet përmirësuar”, – thotë Damo në një prononcim për Fshf.org, ndërsa thekson se është shumë e rëndësishme që të ndiqet me kujdes zhvillimi dhe rritja e elementëve të talentuar, pasi po flasim për një moshë delikate për rritjen e një futbollisti.

“Në fakt, ne kemi lojtarë edhe cilësorë madje në qarkullim, por çështja është se si ata do të zhvillohen në vazhdimësi, si do të punohet me ta nëpër akademi, sa do të jemi ne të aftë t’i stimulojmë që ata të vazhdojnë rritjen, kjo është beteja jonë dhe për këtë po punojmë.

Po zgjedhim lojtarët më cilësorë, po mundohemi të punojmë sa më shumë me këta elementë, diskutojmë vazhdimisht me trajnerët e zonave rajonale, trajnerët nëpër ekipet e moshave, se çfarë duhet bërë më mirë gjithmonë në shërbim të lojtarëve. Ka cilësi, ka mundësi që të rriten dhe të jenë lojtarë të niveleve të mira”, – shprehet tekniku, duke shtuar se duhet punuar në të githa drejtimet me lojtarët e rinj e veçanërisht në drejtim të aspekteve cilësore që ata mund të kenë.

“Çdo individ ka karakteristikat e veta, ka të mirat dhe të metat e veta, cilësitë pozitive e negative, mirë është të punohet në të dyja drejtimet, por prioriteti për mua është që të punohet në aspektin e cilësive pozitive. Pra nëse një lojtar ka një cilësi të mirë, aty duhet fokusuar puna që të rritet ajo cilësi. Ndërsa aty ku kanë mangësi, sado të punosh mund ta përmirësosh disi, por nuk është se mund të arrish në nivelin e duhur. Pra koncepti është që të përqendrohesh që aspektet pozitive ta çosh në nivel sa më të lartë.

Të gjithë lojtarët i këshillojmë që ata të mbajnë regjim të lartë stërvitor të bëjnë edhe seanca stërvitore ekstra për ato karakteristika që do ta ndihmojnë për më vonë. Motivimi është i mirë, lojtarët përpiqen dhe luftojnë, gara nuk është e lehtë, sepse flasim për nivel profesionist”, – thotë Damo.

Gjithashtu, trajneri i Kombëtares U-15 shpreh bindjen se ky brez do të jetë një bazë e mirë për të gjitha ekipet e tjera kombëtare të moshave dhe se ka shumë cilësi, ndërkohë që do t’u jepet mundësia të tregojnë veten edhe lojtarëve të cilët aktivizohen me ekipe jashtë vendit e që janë në monitorim të vazhdueshëm edhe nëpërmjet skautëve të FSHF-së.

“Duke pasur parasysh vitet e kaluara mendoj që ky brez do të jetë bazë për ekipet e tjera kombëtare të moshave, sepse po të shikosh Kombëtaren U-17 sot gati 80% e ekipit ka ardhur nga Kombëtarja U-15. Kur baza ndërtohen mirë ato vazhdojnë te ekipet e tjera të moshave. Ka shumë mundësi që edhe këto lojtarë që kemi aktualisht të jenë në të njëjtën cilësi. Kemi sugjerime nga skautë për lojtarë që luajnë jashtë dhe shpresoj t’i kemi te grumbullimi i radhës.

Kemi dy ndeshje në Bosnje dhe do të marrim një pjesë nga lojtarët që luajnë jashtë dhe një pjesë nga elementët më cilësorë të kampionatit shqiptar, duke pasur parasysh se mund të bëjmë edhe një grumbullim tjetër 3-ditor për të parë edhe një pjesë tjetër lojtarësh që nuk janë pjesë e këtij grumbullimi dhe pastaj do të përzgjedhim më të mirët e deri në shtator, kur të vijë turneu UEFA Development do të kemi grupin më të mirë të mundshëm të vitlindjes 2009”, – deklaroi Armand Damo.

Ky grumbullim vjen pas përfundimit të turneut të përfaqësueseve rajonale që u zhvillua pak javë më parë ku morën pjesë futbollistët e grup-moshave U-13, U-14 dhe U-15 nga e gjithë Shqipëria. Pasi kanë përzgjedhur lojtarët më të spikatur nga ky turne, stafi teknik ka programuar disa seleksionime apo grumbullime për të parë nga afër në aksion të gjithë elementët e spikatur, duke u dhënë të gjithëve mundësinë për të shfaqur vlerat e tyre me fanellën kuqezi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco