Më i miri për Interin, Kristjan Asllani tregon emocionet e kualifikimit

Më i miri për Interin, Kristjan Asllani tregon emocionet e kualifikimit

10:08, 11/01/2023

Kristjan Asllani e nisi si titullar ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Parmës (2-1). Mesfushori kuqezi ishte lojtari më i mirë në fushë për ekipin zikaltër (nota 8), edhe pse Interit iu deshën 120 minuta për marrë kualifikimin.

Pas ndeshjes, 20-vjeçari nga Elbasani u shpreh i kënaqur që ekipi i tij arriti që të sigurojë kualifikimin, duke treguar dhe atë çka nuk shkoi në pjesën e parë te skuadra e tij. “Misioni u krye me sukses. Jemi të lumtur që arritëm të kalojmë në raundin tjetër.

E dimë që ndeshja e parë në Kupën e Italisë është gjithmonë e vështirë. Pjesa e parë nuk ishte aty ku duhej, pasi ishim të ngadaltë në manovrat tona, por në fraksionin e dytë reaguam dhe arritëm të ndryshonim rezultatin“.

Mesfushori i Shqipërisë ka gjetur shumë pak hapësira, me trajnerin Inzaghi që nuk ka besuar shumë tek ai, megjithatë Asllani beson se e ka përligjur më së miri besimin e dhënë dhe shpreson që të jetë protagonist edhe në vazhdim.

“E pata të vështirë që të gjeja hapësira në fillim, diçka që është normale kur përballë ke një skuadër që luan e mbyllur pas. Në pjesën e dytë ata na lejuan më shumë hapësira dhe unë arrita që t’i shfrytëzoja mundësitë e mia. Ndihem mirë që e ndihmova ekipin dhe shpresoj që të vijoj me të njëjtin ritëm.

Jam i kënaqur me paraqitjen time, tani na duhet të shohim në ndeshjen tjetër“, u shpreh lojtari i talentuar shqiptar. Asllani është aktivizuar këtë sezon në 14 ndeshje mes Serie A, Kupës së Italisë dhe Champions League, por vetëm 4 ndeshje ka nisur si titullar.

Golin e parë me fanellën e Interit nuk e ka gjetur ende, por si fillim shpreson që të fitojë një fanellë titullari dhe në kampionat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco