'Xhaka është sekreti i Arsenalit', Arteta nuk kursehet me elozhet për shqiptarin: Gati të thyejë muret

'Xhaka është sekreti i Arsenalit', Arteta nuk kursehet me elozhet për shqiptarin: Gati të thyejë muret

10:22, 24/12/2022

Mikel Arteta mund të mos kishte më të ardhme tek Arsenali në rast se ai nuk do të ishte përshtatur në rolin e ri në skuadër. Një gjë të tillë e pohon vetë trajneri Mikel Arteta, i cili i ndryshoi pozicion në fushë kapitenit të Zvicrës këtë sezon, duke e çliruar 30-vjeçarin përpara porte. Një lëvizje e tillë ka funksionuar, me “Topçinjtë” që renditën +5 në krye të Premier Ligës përpara se të rinisë faza e dytë e kampionatit.

Xhaka ka shënuar 3 gola (plus 3 asiste) në 14 ndeshje të Premier Ligës deri tani, ndërsa është shndërruar në armën ekstra në sulmin e londinezëve. Ai kishte shënuar vetëm 1 gol në secilën prej tri sezoneve të shkuara, por golat e tij kanë ardhur në një kohë emocionuese për klubin, që kryeson bindshëm përpara ndeshjeve të Krishtlindjes.

Në një intervistë për “Sky Sports”, Arteta tha se ishte një domosdoshmëri që ishkapiteni i Arsenalit të spostohej në një pozicion më të avancuar pas shumë viteve që luante në “Emirates” (prej 2016-ës).

“Mendoj se skuadra donte të evoluonte në një tjetër nivel, të ishte më dominuese dhe të kishte më shumë burime në 1/3-at finale të fushës për të sulmuar dhe shënuar më shumë gola. Na duhej ta bënim këtë ndryshim. Unë fola me të në fund të sezonit dhe thashë: ‘Më duhet të zhbllokoj diçka në trurin tënd, sepse ti je kaq komod dhe luan me kaq besim në këtë zonë sa ke harruar se çfarë duhet për të na i fituar ndeshjet dhe skuadra kërkon dikë atje. Kështu që nëse ti nuk e zhbllokon atë, mua do të më duhet të bëj diçka për këtë'”, tha 40-vjeçari.

“Ai e kuptoi menjëherë. Ai është një lojtar shumë inteligjent. Erdhi në fazën përgatitore në gjendjen më optimale fizike, më i dobët se kurrë dhe e dine se nëse ne donim ta dërgonim skuadrën në një tjetër nivel ai duhet të ndryshonte rolin e tij. Ne besonim se ai i kishte këto cilësitë që ishin të fshehura dhe duheshin shfrytëzuar. Skuadra kishte shumë nevojë për këto cilësi. Siç e thashë, ai është jashtëzakonisht inteligjent dhe ka kapacitetin fizik për të qenë një kërcënim i vazhdueshëm dhe shkelur në ato hapësira dhe rifituar shpejtë pozicionin e tij për të pasur ekuilibrin që kemi nevojë”, shkruan "Panorama Sport".

Arteta vlerësoi vazhdimësinë e Xhakës, stërvitjen dhe sinqeritetin e tij: “Kur ke dikë si ai, ti dëshiron ta ndihmosh. Dëshiron ta mbrosh dhe do që ai të përmbushë potencialin që ka. Ai ka bërë disa gabime dhe ka mësuar prej tyre, por ai është përballur gjithnjë dhe nuk i ka shpëtuar kurrë përgjegjësive dhe vështirësive. Kjo është gjithçka që të gjithë trajnerët dëshirojnë nga lojtarët e tyre. Ti e di që mund të besosh tek ai, ai do të luftojë dhe thyejë muret për ty. Kjo është ajo që presim prej lojtarëve tanë”.

Arsenali rikthehet të luajë në derbin kundër Uest Hemit në Premier Ligë më 26 dhjetor dhe mund ta thellojë avantazhin në +8 pikë, sepse Mançester Siti luan dy ditë më vonë në transfertë me Lidsin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco