Kupa e Botës 2022: A ishte kjo finalja më e bukur e të gjitha kohërave?

Kupa e Botës 2022: A ishte kjo finalja më e bukur e të gjitha kohërave?

11:49, 19/12/2022

Nga Emma Sanders, BBC Sports

“Nuk do të shohim më kurrë diçka të tillë”.

Ish-mbrojtësi i Anglisë, Rio Ferdinand, ka përmbledhur me pak fjalë atë çka shumica prej nesh mendonin pas një prej finaleve më të mëdha në historinë e Kupës së Botës.

Ajo pati gjithçka. Përplasje kokë më kokë e superyjeve si Lionel Messi e Kylian Mbappe. Gola kthesash dramatike.  Dhe gjuajtje penalltish përcaktuese që të shkatërronin nervat.

Media sociale kaloi në ekstazë, yjet e sportit në gjithë botën u mahnitën dhe atyre në Lusail Stadium iu servir një shfaqje që i la gojëhapur.

“Nuk mund ta imagjinoja ç’po ndodhte, me dy skuadra të mëdha që luftonin dhëmb për dhëmb dhe askush nuk bënte një hap prapa”, tha Ferdinand në BBC One.

“Dy superyjet e secilës skuadër që luftonin për fitore, gol pas goli, e mahnitshme”.

Ish-sulmuesi i Anglisë Alan Shearer shtoi: “Na la pa frymë, ishte një finale e pabesueshme. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë dhe nuk mendoj se do të shoh prapë. Ishte mahnitëse”.

Trajneri argjentinas Lionel Scaloni tha pas ndeshjes se ishte i qetë, megjithatë nuk mundej ta fshihte lumturinë.

“Kjo ndeshje ishte krejtësisht e çmendur. E di që zhvilluam një ndeshje të mirë, mund ta kishim fituar brenda 90 minutave”, tha. “Po provoj ndjesinë më të mirë të gjithë jetës sime. Më e rëndësishmja është që ia dolëm”.

Si u shpalos finalja përrallore

Minuta 23: Argjentinë-Francë 1-0 Messi shënon me penallti.

Minuta 36: Argjentinë-Francë 2-0 Angel di Maria dyfishon epërsinë e Argjentinës.

Minuta 80: Argjentinë-Francë 2-1 Mbappe përgjigjet me një penallti.

Minuta 81: Argjentinë-Francë 2-2 Mbappe barazon me një gjuajtje befasuese.

Minuta 108: Argjentinë-Francë 3-2 Messi rikthen epërsinë e Argjentinës në kohën shtesë.

Minuta 118: Argjentinë-Francë 3-3 Mbappe plotëson tregolëshin e tij duke çuar lojën te penalltitë.

Vëmendja kryesore para ndeshjes ishte përqendruar te Messi e Mbappe, teksa të dy ishin të barabartë në garën për Këpucën e Artë dhe shiheshin si superyjet që do të udhëhiqnin skuadrat e tyre drejt lavdisë.

Por Mbappe zor se bëri ndonjë gjë në pjesën e parë, ndërsa Argjentinës iu deshën vetëm katër minuta për të bërë gjuajtjen e parë në portë me Alexis Mac Allister, dhe vazhdoi duke i çmontuar kampionët në fuqi.

Kontributi i parë i Messit erdhi në minutën e 23-të, kur shënoi me penallti, ndërkohë që Angel di Maria dyfishoi avantazhin 13 minuta më pas.

Franca ishte e çorientuar, Mbappe nuk u pa në zonën kundërshtare dhe kishte më pak prekje të topit se çdo lojtar tjetër pas gjysmë ore lojë.

Trajneri Didier Deschamps bëri dy zëvendësime në minutën e 41-të, duke zëvendësuar Olivier Giroud e Ousmane Dembele me Randal Kolo Muani e Marcus Thuram.

Në pushim, me asnjë gjuajtje në portë nga Franca dhe me Argjentinën kryesuese 2-0, reporterët kudo në botë po shkruanin artikujt për finalen – pa asnjë dyshim ishte lojë e mbaruar.

Në të vërtetë drama nuk kishte nisur ende...

Franca akoma nuk ishte në më të mirën e saj kur e vuri në provë portierin argjentinas Emiliano Martinez për herë të parë në minutën e 67-të, por loja ndryshoi në 97 sekondat ritmike që pasuan.

Muani u rrëzua në zonë nga Nicolas Otamendi dhe Mbappe mposhti Martinez nga pika e penalltisë.

Loja u hap.

Argjentina nuk kishte marrë ende frymë e tifozët e Francës ende po festonin kur Mbappe gjuajti një top në ajër dhe barazoi 2-2. Kohë shtesë.

Por kjo ishte nata e Messit dhe me siguri ai mendoi se e kishte thënë përfundimisht fjalën e tij kur kaloi topin përtej vijës fatale, duke ndezur festime të zjarrta, në minutën e 108-të.

Por edhe Mbappe kishte ende për të thënë. Goli i tretë i tij erdhi në minutën e 118-të, duke u bërë lojtari i dytë, pas Geoff Gurst të Anglisë më 1966, që shënon tre gola në një finale të Kupës së Botës.

Argjentina, e cila e kishte humbur dy herë kryesimin gjatë ndeshjes, më në fund preku trofeun për herë të parë që nga 1986, pasi Martinez priti penalltinë e Kingsley Coman dhe Aurelien Tchouameni gjuajti jashtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco