Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Duka flet për Asllanin: Djalë i përulur, do bëhet lider i mesfushës së Interit

Duka flet për Asllanin: Djalë i përulur, do bëhet lider i mesfushës së Interit

19:21, 01/11/2022

Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë një intervistë ekskluzive për “fcinternews.it”, ku ka folur veçanërisht për mesfushorin shqiptar të zikaltërve, Kristjan Asllani.

Duka nuk i ka kursyer elozhet për mesfushorin kuqezi dhe ka deklaruar se ai i ka të gjithë cilësitë për t’u shndërruar në kampion, por e pret një punë e madhe përpara.

E njihni Asllanin prej shumë kohës. Çfarë tipi është?
E njoh mirë pasi është prej tre vitesh pjesë e përfaqësueseve tona. Është një djalë me buzëqeshjen e stampuar në fytyrë, i përulur dhe me besim në veten e tij. E karakterizon një qetësi dhe optimizëm që ta përcjell sapo e takon.

Tani luan te Interi, por nuk duket se i është rritur mendja…
Të kalosh te Interi në një moshë kaq të re, nuk është e lehtë për asnjë, por jam i bindur që Asllani do të dijë ta menaxhojë mirë këtë moment, për të ruajtur ekuilibrin dhe për të na treguar shumë shpejt cilësitë që kishte te Empoli. Ai është i bindur në cilësitë e tij të shkëlqyera dhe unë jam i bindur që nuk do t’i rritet kurrë mendja.

E prisnit që do të transferohej kaq shpejt te Interi?
Cilësitë e tij janë evidente dhe herët a vonë do të ndodhte një transferim i rëndësishëm, por tani klubet e mëdha janë agresive dhe nuk lënë t’u ikë mundësia për të firmosur me një lojtar të talentuar. Tani është një ambasador i futbollit shqiptar, pasi Interi është një markë e rëndësishme dhe në aspektin e imazhit, ai do të ndihmojë në njohjen edhe më të madhe të futbollit shqiptar.

Çfarë ju ka thënë për transferimin e tij te Interi?
Ato që ka thënë edhe publikisht, që është shumë i lumtur, pasi është tifoz i Interit që fëmijë dhe tani ka mundësi të japë në fushë kontributin me fanellën zikaltër.

Për rritjen e tij më të shpejtë, mendoni se është më mirë të huazohet në janar, apo të qëndrojë te Interi?
Unë do të isha i kënaqur që në janar ta shihja duke luftuar për një vend në formacion me futbollistët aktualë të Interit. Me cilësitë që ka, mund të shndërrohet në një futbollist shumë të rëndësishëm i futbollit botëror. Ka të gjitha cilësitë për t’u shndërruar në një lider në mesfushën e Interit, pas i është i ri, me cilësi të jashtëzakonshme teknike dhe me grintën e karakterin e duhur. Megjithatë nëse nuk do të ketë hapësirat e duhura, më mirë të shkojë diku ku të luajë rregullisht.

Çfarë menduat kur patë Kristjanin të humbte atë rast ndaj Barcelonës?
Do të ishte një gol që do ta kishte ndihmuar shumë në rrugëtimin e tij me fanellën zikaltër, pasi do t’i jepte më shumë hapësira në fushë dhe do t’i rriste vetëdijen për cilësitë që ka. Megjithatë ai nuk duhet të mendojë shumë për atë moment, pasi është shumë iri dhe në të ardhmen do të ketë mundësi sërish t’u shënojë skuadrave si Barcelona e Reali, por edhe të shënojë shumë me kombëtaren shqiptare.

Sa i shërben fakti që stërvitet në krah të Brozovic dhe a mendoni se mund të shndërrohet në një pikë fikse të formacionit të Interit?
Të luash me Brozovic, është padyshim një faktor pozitiv, pasi po flasim për një nga mesfushorët më të mirë në qarkullim, që ka luajtur edhe një finale në Kupës së Botës. Asllani ka rastin që të mësojë shumë nga ai, por edhe nga të tjerët me të cilët luan te Interi. Unë e shoh për shumë vite një titullar fiks të Interit, pasi ka cilësitë e duhura për t’ia dalë. Ka një moshë delikate dhe duhet të punojë shumë, pa iu rritur mendja,. Tani për të gjithçka është e rëndësishme, duke nisur nga trajneri, miqtë, shokët e skuadrës, familja dhe e dashura e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco