Bilanci i turneve U-17 & U-19 për vajza, spikasin elementë të rinj që garantojnë rritjen!

Bilanci i turneve U-17 & U-19 për vajza, spikasin elementë të rinj që garantojnë rritjen!

13:47, 25/10/2022

Në harkun kohor të 20 ditëve, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi me sukses dy mini-turne të grupmoshave U-17 dhe U-19 për vajza, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023.

Fillimisht Shqipëria U-19 për vajza, ekipi që këtë sezon bëri diferencën, me një kontigjent vajzash të reja, të cilat përfaqësuan për herë të parë Kombëtaren U-19 të drejtuar nga Kreshnik Krepi. Në 3 ndeshjet e zhvilluara për 6 ditë, Shqipëria e Krepit arriti të grumbullojë 6 pikë, të realizojë katër gola dhe të pësojë tre.

Image

Dy fitore dhe një humbje, ky është bilanci i kësaj Shqipërie përballë Rumanisë, që u ngjit në Ligën A me 9 pikë, Letonisë e Armenisë në grupin B3 në Ligën B. Kombëtarja U-19 për vajza është për momentin skuadra më e mirë e renditur në vendin e dytë me këtë bilanc pikësh e golash, duke qenë pretendentja kryesore për t’u ngjitur në Ligën A. Gjithsesi, gjithçka do të përcaktohet në muajin nëntor, kur do të zhvillohen edhe ndeshjet e grupit B5 dhe do të shihet renditja dhe rezultatet në këtë grup.

Mbetet për t’u vlerësuar paraqitja e vajzave kuqezi U-19, që zhvilluan një lojë të mirë edhe ndaj bashkëmoshatareve të Rumanisë, por puna për të konsoliduar grupin duhet të vijojë edhe në klubet ku futbollistet e thirrura për të përfaqësuar ekipin kombëtar duhet të stërviten e angazhohen më shumë.

Image

Sakaq, ditën e djeshme, edhe Shqipëria U-17 për vajza e drejtuar nga trajneri Agustin Kola mbylli ndeshjet kualifikuese të vlefshme për Europianin e kësaj grupmoshe. Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në vendin tonë nën organizimin e FSHF-së, teksa për herë të parë, Kombëtarja U-17 arriti fitoren më të thellë në historinë e saj si ekip. Vajzat e drejtuara nga Agustin Kola mundën me shifrat 9-1 Moldavinë, në një ndeshje të dominuar totalisht nga ekipi ynë.

Image

Ashtu sikurse tek ekipi kombëtar U-19, edhe trajneri i Kombëtares U-17 dhe stafi kuqezi punoi në këto eliminatore me një grup thuajse të ri vajzash, të cilat janë plot talent e kjo është shumë shpresdhënëse për Shqipërinë e vajzave. Por siç u theksua edhe më sipër, puna duhet të vijojë më shumë në klubet ku këto vajza aktivizohen, në mënyrë që ekipet kombëtare të ecin më shumë e më shpejt përpara.

Trajnerët e ekipeve të vajzave, Agustin Kola e Kreshnik Krepi shohin progres te skuadrat e tyre, jo vetëm në lojën e zhvilluar nga vajzat, por edhe në seancat stërvitore, që sa vijnë e bëhen ‘më të thjeshta’ për ta e stafet përkatëse. As dëshira nuk mungon, edhe pesha e fanellës ndihet nga vajzat e vogla, por që gjërat të ecin në mënyrë perfekte, puna duhet të jetë e përditshme. Stërvitje, stërvitje dhe vetëm stërvitje… kështu, ekipet tona do të na kënaqin jo vetëm me lojë, por edhe me pikë, gola e fitore.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco