Red Bull fiton titullin kampion në Formula 1

Red Bull fiton titullin kampion në Formula 1

09:19, 24/10/2022

Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara dhuroi spektakël në çdo xhiro të tijën teksa në Austin ai që triumfoi ishte Max Verstappen.

Piloti holandez e mori kryesimin që në kthesën e parë teksa parakaloi Carlos Sainz, me pilotin e Ferrarit që nuk pati fatin me vete dhe pas kontaktit me George Russell kur ende nuk ishin mbyllur metrat e parë të garës, u detyrua të tërhiqej.

Në krahun tjetër, Bottas përfundon jashtë piste ndërsa Leclerc përfiton për të ndryshuar gomat nën regjimin e makinës së sigurisë dhe përfiton kohë ndaj Verstappen e Hamilton.

Gjithsesi, nuk ishte e thënë që të mbyllej me kaq detyra e makinës së sigurisë në SHBA, pasi Alonso dhe Stroll janë protagonist të një aksidenti të frikshëm, me spanjollin që pati fat dhe vijoi garën.

Ndërkohë, si rrallëherë te RedBull gabojnë në bokse dhe Verstappen humbet kohë të konsiderueshme duke përfunduar në vendin e gjashtë.

Por, holandezi nuk dorëzohet dhe fillimisht parakalon Leclerc e më pas Hamilton për t’u rikthyer në krye.

Duhet theksuar se dueli ndaj britanikut riktheu në memorie edhe njëherë duelin e sezonit të kaluar teksa për një moment Hamilton provoi të bënte rezistencë, por RedBulli i kampionit të Botës në fuqi në fund triumfoi.

Kështu, Verstappen e kaloi i pari vijën e finishit duke regjistruar fitoren e 13-të sezonale, teksa një arritje të tillë më parë e kanë shënjuar vetëm Schumacher dhe Vettel.

Holandezi tashmë ka në dispozicion edhe katër gara të tjera për të kaluar dyshen e sipërpërmendur dhe të qëndrojë i vetëm në krye të listës me më shumë fitore në një sezon.

Ndërkaq, pas suksesit të 25-vjeçarit dhe vendit të katërt të Perez, RedBull siguroi edhe titullin për konstruktorë.

Sa i takon podiumit, ai u plotësua nga Hamilton dhe Leclerc.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco