Kampionati i vajzave/ Zbuloni sfidat interesante të javës së tretë

Kampionati i vajzave/ Zbuloni sfidat interesante të javës së tretë

12:23, 21/10/2022

 

Kampionati i vajzave do të zbresë sërish në fushë këtë fundjavë për të zhvilluar javën e 3-të të saj, teksa sfidat do të luhen të gjitha ditën e diel.

Skënderbeu do të presë në shtëpi Partizanin, në një ndeshje të rëndësishme për të dyja ekipet, që pas dy javësh kampionat janë në kuotë të njëjtë pikësh, 3 pikë. Të kuqet do të udhëtojnë drejt Korçës për t’u rikthyer te rezultati pozitiv, pas humbjes me Apoloninë të dielën. Ndërsa juglindoret do të kërkojnë të vijojnë me fitoret, teksa në javën e dytë mundën në transfertë Lushnjen. Ndeshja do të luhet në aneksin e stadiumit ‘Skënderbeu’ në ora 13:00.

Sakaq, pas fitores me Kinostudion në shtëpi, vajzat bardheblu do të udhëtojnë drejt Fierit, ku do të përballen me Apoloninë që për momentin është e vetme në krye të klasifikimit. Të dyja skuadrat vijnë pas rezultateve pozitive, teksa fitorja është e rëndësishme për të dyja ekipet. Sfida do të luhet ditën e diel në aneksin ‘Loni Papuçiu’, në ora 11:00.

Pas paraqitjes së një dite më parë në Champions League, ku Vllaznia priti në shtëpi një nga ekipet më të mëdha në botë, Real Madrid, e ku pavarësisht rezultatit, vlen paraqitja dhe loja me zemër e vajzave bardheblu. Shkodranet do të zbresin sërish në fushë për të zhvilluar ndeshjen e javës së tretë të kampionatit të vajzave në vend. Lushnja do të jetë kundërshtarja e radhës e Vllaznisë, një ndeshje në dukje e lehtë për kampionet në fuqi të vendit, por mbetet të shohim rezultatin ditën e diel, teksa ndeshja do të luhet në “Reshit Rusi” në Shkodër në ora 15:00.

Sakaq, për shkak të angazhimit me ekipin kombëtar U-17, në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 për këtë grupmoshë, dy nga përballjet e kësaj jave nuk do të luhen këtë fundjavë. E më specifikisht, Kukësi – Teuta dhe Kinostudio – Laçi janë dy sfidat e javës së tretë që për arsyen e sipërpërmendur do të zhvillohen në një moment të dytë që do të përcaktohet nga Departamenti  i Garave në FSHF e që do të bëhet me dije në ditët në vijim.

Ndeshjet e javës së tretë në kampionatin e vajzave:

Apolonia – Tirana, e diel, ora 11:00

Skënderbeu – Partizani, e diel, ora 13:00

Vllaznia – Lushnja, e diel, ora 15:00

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco