‘Uniforma ime’ në Lezhë, Kuriu: Projekt për të gjithë fëmijët shqiptarë, lehtësim edhe për familjet

‘Uniforma ime’ në Lezhë, Kuriu: Projekt për të gjithë fëmijët shqiptarë, lehtësim edhe për familjet

14:55, 05/09/2022

Lezha ishte qyteti i parafundit ku Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi projektin “Uniforma ime”, përpara eventit madhështor që do të mbahet në Tiranë në vijim.

Ky është një nga projektet më të rëndësishme që ka ndërmarrë FSHF-ja gjatë këtij viti, ku duke filluar nga ky sezon futbollistik, të gjithë fëmijët që luajnë futboll në të gjithë kampionatet e moshave nga U-7 e deri te mosha U-19 do të përfitojnë falas një set me bazë materiale.

Ky set përfshin uniformën e lojës, uniformën e stërvitjes, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Projekti “Uniforma ime” u prezantua në qytetin e Lezhës nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu, teksa të pranishëm në këtë ceremoni prezantimi ishin edhe përfaqësues të Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, drejtues Akademish, trajnerë, prindër e fëmijë që luajnë futboll.

Në fjalën e tij të prezantimit, Kuriu shpjegoi rëndësinë e këtij projekti për të gjithë të pranishmit në Lezhë.

Përveç paraqitjes dinjitoze dhe të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë që luajnë futboll në vendet fqinje dhe më tej, Kuriu theksoi se ky projekt i heq edhe një barrë shumë të madhe ekonomike familjeve shqiptare.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka një projekt shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të të rinjve në vendin tonë. Sidomos për futbollin e fëmijëve, vajza e djem dhe për këtë kemi lançuar disa projekte.

Që nga projekti “Topi im”, i cili ka nisur para tre vitesh, kemi vijuar me projektin e “100 Fusha” dhe me projektin “Uniforma ime” që kap vlerën e 1 milionë eurove, që fëmijët shqiptarë të vishen e të përfaqësojnë klubet dhe Akademitë si të gjithë fëmijët e Europës dhe botës.

Të gjithë fëmijët do të marrin një set ku do të kenë brenda çantën, rrobat e stërvitjes, rrobat e ndeshjes dhe me këtë projekt ne mendojmë që do t’i heqim një barrë shumë të madhe ekonomike familjeve shqiptare dhe do t’i ndihmojmë fëmijët që të zhvillohen dhe të luajnë një futboll që ne të jemi në koherencë me të gjithë fqinjët tanë dhe përtej fqinjëve në Europë” – tha Abdyl Kuriu, i cili u ndal edhe te dy projekte të tjera madhore të FSHF-së, “Topi im”, i lançuar para tre vitesh e ku klubet e Akademitë përfitojnë topa falas dhe projekti “100 Fusha”, që ka nisur prej kohësh e po vazhdon ende.

“Gjithashtu, kemi projektin “Topi im”, që kap vlerën e rreth 1 milionë eurove në vit, ku çdo klub i Shqipërisë dhe Akademi merr topa falas. Sa i përket projektit të “100 Fusha-ve”, i lançuar përpara disa vitesh, po vazhdon dhe është i shtrirë në kohë e ku të gjithë klubet dhe Akademitë do të bëhen me fusha të reja, në qëllim dhe funksion të zhvillimit të futbollit të fëmijëve” – u shpreh anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu.

Image

Kreu i SHRF Lezhë, Kristjan Xhidodaj u shpreh se ky projekt është një vlerë e shtuar në aspektin kolektiv dhe të gjitha klubet e akademitë do të jenë të kompletuara sa i përket bazës materiale.

“Uniforma ime” është një projekt që mund të duket për secilin nga ju diçka modeste, por vjen si një vlerë e shtuar në aspektin kolektiv. Nëse deri dje shumë klube apo ekipe ishin jo në performancën e duhur sa i përket paraqitjes së jashtme, që në futboll është një nga komponentët e rëndësishëm, tani e tutje do të kemi çdo shoqatë, klub apo akademi që do të jetë e kompletuar në çdo detaj” – tha Xhidodaj në fjalën e tij.

Image

Ky projekt u vlerësua maksimalisht edhe nga trajneri i klubit sportiv “Porto”, Skënder Abdyli, si edhe nga prindi i një prej shumë fëmijëve që do të përfitojë bazën materiale falas nga FSHF.

“Falënderoj FSHF-në për këtë projekt të shkëlqyer, në mënyrë që të ketë sa më shumë pjesëmarrës, masivizim të futbollistëve të vegjël në aktivitetet sportive që po krijohen” – tha trajneri Abdyli.

“Falënderoj FSHF-në sepse përmes këtij projekti, jam i sigurtë që  do të sigurojë masivizimin e sportit e konkretisht futbollit e përveç kësaj do të rrisë një brez të shëndetshëm e një shoqëri më të mirë nesër. Dhe pse jo një elitë futbollistike më cilësore do na përfaqësojë në arenat kombëtare e mbarëkombëtare” – tha Ardian Laçi, prindi i një prej fëmijëve lezhjanë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco