Refuzon sistematikisht vaksinimin, Kimmich bëhet çështje politike në Gjermani

Refuzon sistematikisht vaksinimin, Kimmich bëhet çështje politike në Gjermani

13:15, 26/10/2021

Debati për fjalët e yllit të Bajernit, Joshua Kimish, i cili për “Bild” tha se nuk është vaksinuar ende dhe se ka dyshime për efektet anësore të vaksinës, vazhdon sërish. Tani në lojë ka hyrë edhe qeveria gjermane. Ata shpresojnë që Kimish të vaksinohet sa më shpejt të jetë e mundur për të dhënë një shembull të mirë për të gjithë lojtarët e tjerë dhe qytetarët gjermanë që ende kanë dyshime për vaksinën. Imunologu Karsten Valc tha për lojtarin se ai kishte shumë pak njohuri për vaksinën.

“Kimish mund të jetë një lojtar i madh, një shembull për shumë futbollistë, por mendoj që për sa i përket mjekësisë ka shumë pak njohuri. Kjo ka bërë që ai të keqinformojë publikun. Ai (Kimish) u shpreh se kishte frikë nga një efekt anësor i vaksinës, duke nënkuptuar që nëse vaksinohet tani, pas një viti do të ketë pasoja në shëndetin e tij.

Kjo nuk është e vërtetë dhe ai dhe shumë njerëz të tjetër duhet ta kenë parasysh këtë gjë. Nëse një vaksinë ka efekte anësore, ato shfaqen pak javë pasi është kryer vaksina, por që janë shumë të rralla për të mos thënë që duhet shumë vite për të bërë që të kombinohen me vaksinën”, u shpreh Valc.

KIMISH, JO KUNDËR

Gjithsesi, Kimish nuk u shpreh kurrë kundër vaksinimit duke thënë se në të ardhmen ai mund ta konsideronte faktin për t’u vaksinuar: “Mund të ndodhë në të ardhmen që të vaksinohem”. Sipas mediave gjermane, lojtari është duke pritur një vaksinë e cila ende nuk ka dalë në treg. Bëhet fjalë për “Valneva”, e cila mësohet të jetë shumë herë më e sigurt dhe efikase. Gjithsesi, për ta parë atë në treg na duhet të presim pranverën e 2022-shit

BAJERNI HESHT

Julian Nagelsman rezultoi pozitiv një ditë pas ndeshjes në Champions ndaj Benfikës. Trajneri nuk udhëtoi me skuadrën drejt stadiumit duke qëndruar në hotel pasi nuk ishte ndier mirë. Një ditë më pas, ai fluturoi me një avion-ambulancë drejt Mynihut dhe tani ndodhet në karantinë. Gjendja e tij është e mirë dhe trajneri pohoi se ishte ndier vetëm i lodhur. Edhe pse i vaksinuar plotësisht, 33-vjeçari nuk i shpëtoi virusit.

Kjo hapi një debat në Gjermani dhe më pas u zbulua se në skuadrën e Bajernit ishin plot 5 lojtarë që nuk ishin vaksinuar. Kimish ishte njëri prej tyre. Klubi i Bajernit nuk ka mbajtur deri tani asnjë qëndrim zyrtar pasi e konsideron vendimin për t’u vaksinuar si personal, edhe pse në një të ardhme të afërt, Liga Gjermane mund t’i vërë klubet me shpatulla pas murit, pasi duke parë rastet në rritje në vend, mund t’i detyrojë klubet të mos aktivizojnë asnjë lojtar i cili nuk është vaksinuar plotësisht. Kjo pritet të ketë një reagim jo të mirë nga lojtarët të cilët janë kundër vaksinimit.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco