‘Mungesat dhe problemet na penalizuan’ Martini flet pas ndeshjes me Dinamon

‘Mungesat dhe problemet na penalizuan’ Martini flet pas ndeshjes me Dinamon

17:54, 25/09/2021

Në ditën e sotme janë zhvilluar edhe dy ndeshjet e para të javës së tretë në Superiore. Tirana nuk ia ka dalë sërish me Kastriotin duke barazuar në shifrat 1-1. Krutanët kaluan të parët në avantazh me anë të Karakacit me penallti. Ekzekutimi i lojtarit do të grushtohej nga Bekaj, por menjëherë do të vinte edhe goditja me kokë që u ndal nga rrjeta.

Gjithçka do të barazohej nga Taulant Seferi me kokë, që në minutën e 50 feston sërish duke vendosur duart si për të heshtur kritikët. Pavarësisht mundësive të krijuara, Tirana nuk mori më shumë se një pikë, ashtu me Egnatian. Nga ana tjetër në paqe është mbyllur edhe përballja mes Teutës dhe Dinamos.

Kryeqytetasit krijuan më shumë raste të rrezikshme në pjesën e parë, por pa ia dalë që t’i shfrytëzonin. Në pjesën e dytë kishte një ritëm të shtuar të Teutës, megjithëse sulmuesit Koumbemba dhe Georgev linin për të dëshiruar me ekzekutimet e tyre dhe tentativat drejt portës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Shkëmbi: “Qëndron ky rezultat ndaj ekipit kampion. Megjithatë duhet të paraqitemi më mirë në sulm se i kemi mundësitë. Skuka i larguar në pjesën e parë? E hoqa për zgjedhjet taktike të miat, nuk isha i kënaqur me atë që bëri. Nuk fitoi asnjë duel të vetëm, nuk e mori kurrë thellësinë. U kthyem me zhurmë dhe po vazhdojmë që të bëjmë zhurmë, por nuk dilet kampion me javën e tretë. Nuk do merremi kurrë me arbitrat. Jemi në Shqipëri, nuk presim gjykim në Spanjë”.

Shehi (Tirana): “Nuk jemi të kënaqur me rezultatin, por jo me atë që kemi prodhuar në fushë. Ne shpërdoruam shumë dhe duhet ta korigjojmë në javën tjetër. Ngo? Është lojtari ynë kryesor. Si një lojtar luftarak dhe i gjatë që është, disa kartona i merr për këtë gjë. I thashë edhe lojtarëve në fundin e pjesës së parë që nuk ishim në fushë. Nuk kishim përqendrimin e duhur dhe ishte një top i gjatë pa pretendime nga 50 metra që u kthye në penallti nga kundërshtari”.

Ndreu (Kastrioti): “Nëse do të ishim pak më të kujdesshëm, do të kishim fituar. E kishim përgatitur që në analizë se duhej të bënim kujdes me goditjet standarte pasi Tirana ka shumë shtatlartësi karshi nesh. Ashtu e kemi pësuar edhe golin. Ajo që kishte rëndësi ishte për të mos humbur, që të merrnim pikën për t’u futur në kampionat”.

Martini (Teuta): “Kishim shumë mungesa në formacion, Daja dhe Xhekson kishin probleme të mëdha. Në 25 minutat e para nuk ishim në ritëm. Më pas jemi rritur me nivelin e treguar dhe kemi luajtur më mirë se Dinamo. Kemi disa probleme me finalizimin, por duhet të përmirësohemi. Nuk duhet ta bëjmë dramë të madhe se nuk shënuam në një ndeshje. Ne funksionojmë si skuadër”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco