'Klubi ka shpenzuar për mua', shkodrani Hebaj: I bëj unë golat tek Teuta

'Klubi ka shpenzuar për mua', shkodrani Hebaj: I bëj unë golat tek Teuta

20:17, 29/05/2020

Te Teuta janë më të etur se kurrë për futboll. Edhe pse forma nuk mund të jetë ndër më të mirat, dëshira që treguan ndaj Erzenit, jep shpresë.

Në atë miqësore bindi edhe Rubin Hebaj, i cili e gjeti dy herë rrjetën. Shkodrani ndihet më i motivuar se kurrë, aq sa paralajmëron se do të jetë ai njeriu-gol në Durrës.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari analizon punën e bërë postpandemisë, si dhe pritshmëritë për 10 javët e mbetura.

Riktheheni në fushë pas pandemisë me një miqësore dhe shënoni një dygolësh, si ndihet Rubini?

Një dygolësh që më jep besim për vazhdimësinë, ndaj jam i kënaqur. Unë jam profesionist, punoj çdo ditë për t’u rikuperuar nga dëmtimi, tani jam mirë. I pranoj zgjedhjet, kam ardhur te Teuta për të luajtur dhe mendoj se kam dhënë maksimumin në minutat që më janë dhënë. Jam i lumtur, por jo aq shumë për objektivin që i kam vënë vetes për karrierën time. Dua të shkoj sa më lart, atëherë do të isha i kompletuar. Rubini pret diçka më shumë nga vetja…

Keni edhe pak ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës, a jeni gati?

Duke parë situatën ku ndodhej Shqipëria, ishte e pamundur që të flitej për stërvitje apo për të luajtur futboll. Ndalesa besoj se na ka bërë mirë. Rigjetëm lojtarët që kanë qenë me probleme dhe mendoj se këtë javë do jemi të plotë dhe të etur për sukses.

Çfarë ndeshjeje ishte ajo me Erzenin?

Në miqësore asnjëherë nuk është parësor rezultati, e megjithatë përballë kishim një ekip që ka bërë mirë në gjysmën e parë të sezonit në Kategorinë e Parë. Ajo që më kënaqi më shumë ishte lëvizshmëria, loja në grup e çunave dhe forma e mirë. Mendoj se jemi gati për të rifilluar futbollin dhe sfiduar Laçin.

Pas largimit të Gomes, tashmë përgjegjësia e sulmit dhe golave bie mbi ju. A do të jetë Hebaj “bomberi” i munguar i Teutës?

Shpresoj që të kthehet në një motiv për mua ky dygolësh në miqësore dhe të sjellë zhbllokimin edhe në ndeshjet zyrtare. Skuadra ka besim tek unë dhe kjo gjë më jep forcë dhe siguri për të shënuar. Dua ta ndihmoj ekipin. Edhe unë nuk ndihem mirë me veten kur e shoh që nuk e gjej dot rrjetën, pasi klubi ka shpenzuar për mua…Shpresoj që nga kjo javë të kthehem te goli për veten dhe për të gjithë ata që besojnë tek unë.

E rinisni sezonin me Laçin, të arritshme pikët e plota?

Me bindje e them se “po”. Është një ndeshje shumë e fortë, por ashtu si të gjitha të tjerat. Laçi ka bërë mirë në takimet e fundit para ndërprerjes së kampionatit, por kjo nuk na pengon që të futemi në fushë për të fituar. Gjendja e lojtarëve është e mirë, ndaj shkojmë për të bërë një futboll të bukur dhe për të siguruar pikët e plota.

Sa ndryshe do të jetë Teuta postpandemisë?

Duhet të besojmë deri në fund, sepse në futboll nuk i dihet asnjëherë se çfarë ndodh. Ne do provojmë gjithçka, do japim maksimumin dhe shpresojmë të kemi dhe pak fat. Gjithsesi, theksoj se është ndeshje shumë e vështirë, por kemi besim se mund të bëjmë gjëra pozitive.

Ku e shihni veten në këtë edicion?

Teuta ka qenë dhe do të mbetet një ekip që lufton gjithnjë për një vend në Europë dhe shpresojmë që edhe këtë sezon ta arrijmë objektivin e klubit dhe të përsërisim suksesin e vjetshëm, pse jo duke qenë edhe më lart.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco