Varfëria dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve po ndikojnë çdo ditë e më shumë në jetën e banorëve të Tepelenës, të cilët shprehen se e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë kostot bazë të jetesës.
Çmimet e produkteve ushqimore, energjisë dhe shërbimeve të përditshme kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa sipas qytetarëve të ardhurat kanë mbetur të pandryshuara, duke rënduar ekonominë familjare.
Pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta janë ndër më të prekurit nga kjo situatë, teksa shumë prej tyre tregojnë se janë detyruar të kufizojnë shpenzimet edhe për nevojat më elementare, vetëm për të siguruar ushqimet bazë dhe ilaçet.
Banorët thonë se vështirësitë ekonomike po shtohen nga dita në ditë dhe se mungesa e mundësive për punësim po i shtyn të rinjtë të largohen nga qyteti dhe nga Shqipëria.
Sipas tyre, emigrimi masiv i të rinjve është kthyer në një nga problemet më shqetësuese për Tepelenën dhe për qytetet e tjera të Qarkut Gjirokastër, ku shumë familje po mbeten vetëm me të moshuarit.
Qytetarët kërkojnë më shumë mbështetje ekonomike, politika konkrete për punësimin dhe ndërhyrje për frenimin e rritjes së çmimeve, pasi sipas tyre jetesa po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme.
© SYRI.net