Rreth 60 familje në lagjen Zinxhira në Gjirokastër jetojnë çdo ditë mes grumbujve të mbetjeve urbane, të lëna pas dore nga institucionet përgjegjëse.
Sipas banorëve, depozitimi i mbetjeve nga vetë komuniteti, i kombinuar me pastrimin sporadik vetëm një herë në muaj ka krijuar një situatë mjedisore alarmante dhe të rrezikshme për shëndetin publik.
Prania e vazhdueshme e mbetjeve shoqërohet me aroma të forta dhe përhapjen e insekteve, duke kthyer lagjen në një “vater infeksionesh”. Banorët theksojnë se situata përkeqësohet ndjeshëm gjatë verës, kur temperaturat e larta bëjnë pothuajse të pamundur lëvizjen në zonë dhe jetesën normale në banesa.
“Ne kemi kërkuar prej kohësh ndërhyrje dhe pastrim të rregullt nga autoritetet lokale, por përpjekjet e tyre janë të pamjaftueshme,” shprehen disa banorë.
Ata kërkojnë veprime të menjëhershme: pastrim më të shpeshtë dhe masa konkrete për menaxhimin e mbetjeve, për të parandaluar që neglizhenca e deritanishme të rrezikojë jetën dhe shëndetin e komunitetit.
Ky problem vjen në një kohë kur qytetarët presin zgjidhje konkrete nga institucionet, duke theksuar mungesën e përgjegjësisë dhe neglizhencën që rrezikon komunitetet më të dobëta në qytet.
© SYRI.net