Fshati Anvjose, në bashkinë Memaliaj, po përballet prej vitesh me braktisjen e banorëve. Dikur, kjo zonë numëronte rreth 200 familje, ndërsa sot në të kanë mbetur vetëm rreth 30. Shumë prej shtëpive janë boshatisur, dhe dyert e tyre qëndrojnë të mbyllura prej kohësh.
Si në shumë zona rurale të vendit, edhe në Anvjose largimi i të rinjve ka qenë i pandalshëm. Në kërkim të një jete më të mirë dhe mundësive për punë, shumica e tyre janë zhvendosur drejt qyteteve apo kanë emigruar jashtë vendit. Si pasojë, në fshat kanë mbetur kryesisht të moshuarit, të cilët vazhdojnë të jetojnë mes vështirësive të shumta.
Banorët thonë se përveç problemeve ekonomike, ata përballen edhe me mungesën e shërbimeve bazë. Shkëputjet e herëpashershme të energjisë elektrike, amortizimi i rrugës që lidh fshatin me qytetin, si dhe mungesa e ujit të pijshëm janë disa nga problemet me të cilat ndeshen çdo ditë.
Ata kërkojnë më shumë vëmendje nga institucionet, duke theksuar se pa ndërhyrje konkrete dhe investime në infrastrukturë, jeta në këtë fshat bëhet gjithnjë e më e vështirë.
© SYRI.net