SYRI TV/ Sot festohet Dita e Verës në vend, kryeqendër e festimeve, Elbasani

15:44, 14/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elbasani u shndërrua edhe këtë 14 mars në kryeqendër të festimeve për Ditën e Verës. Mijëra qytetarë dhe vizitorë festuan në qendër të qytetit, duke shijuar aktivitetet kulturore, muzikën dhe ballokumen, ëmbëlsirën tradicionale të kësaj feste. Për mikrofonin e Syri Televizion, fëmijë e të rritur shprehën urimet për një verë sa më të mbarë, ndërsa kishte edhe prej tyre që u shprehën se ekonomia ua pamundëson festimin e Ditës së Verës siç e kërkon tradita.

Elbasani është zgjuar këtë të shtunë në atmosferë festive për Ditën e Verës, një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe rilindjen e natyrës.

Qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën në qendër të qytetit për të shijuar aktivitetet kulturore, muzikën dhe traditat karakteristike të kësaj dite. Festa ka nisur me karnavalet, ku nxënësit e shkollave kanë parakaluar në bulevardin e qytetit me kostume festive, maska dhe dekore që simbolizojnë ardhjen e pranverës.

Pjesë e pandashme e festës janë edhe ballokumet, ëmbëlsira tradicionale e Elbasanit, që përgatitet sipas një recete të trashëguar ndër breza. Festimet shoqërohen me koncerte, panaire artizanale dhe aktivitete për fëmijë, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme të turizmit dhe traditës shqiptare në këtë ditë simbolike. Teksa shprehën urimet për festën, shumë qytetarë treguan gjithashtu se ekonomia e dobët i detyron të mos festojnë siç e kërkon tradita.

Dita e Verës festohet çdo 14 mars dhe Elbasani konsiderohet kryeqendra e kësaj feste, ku tradita ruhet dhe përcillet brez pas brezi. Qyteti vizitohet nga mijëra qytetarë këtë 14 mars, ndërsa festimeve u bashkohen edhe politikanë dhe zyrtarë të lartë të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco