Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

´Na nxjerrin për shumë qesharake, do vdesim këtu´- Banorët kundër projektit TID: Pronat duan t´ua japin bandave

11:55, 10/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tensioni dhe pakënaqësia ka përfshirë dhjetëra banorë në Durrës, të cilët janë ngritur në një protestë masive përpara godinës së bashkisë. Shkak është bërë një projekt urbanistik i ri, i cili parashikon prishjen e banesave të tyre, ndërsa ata kanë marrë njoftimet zyrtare për t'u larguar.

Banorët kundërshtojnë atë që e cilësojnë si një dëmshpërblim qesharak dhe denoncojnë mungesën e plotë të konsultimit dhe transparencës nga ana e autoriteteve vendore.

Sipas dëshmive të protestuesve, njoftimet për prishje u janë shpërndarë në mënyrë masive, duke u kërkuar të firmosin një kontratë qiraje dhe të lirojnë banesat. Vlera e ofruar për shpronësim është vetëm 170 mijë lekë të vjetra për metër katror, një shifër që konsiderohet skandaloze dhe e pamjaftueshme për të siguruar një strehë tjetër.

“Si mund të dorëzoj unë një shtëpi që e kam me dokumenta, në mes të Durrësit, për 170 mijë lekë të vjetra metri katror? Këto tallen me këtë popull,” shprehet njëra prej banoreve të prekura. Ajo shkon më tej duke hedhur akuza se projekti i shërben interesave private. “Këta i kanë dhënë fjalën bandave të Durrësit. Do bëhen hotele, pallate, ne i dimë,” tha ajo, duke kërkuar drejtësi dhe sqarime.

Pakënaqësia thellohet edhe nga paqartësia mbi logjikën e projektit. Një tjetër banore, prona e së cilës ndodhet në zonën “Çezma e Ferrës”, shpjegon se ndërkohë që projekti zyrtarisht parashikon ndërtimin e një rruge, po prishen edhe pallate të tëra, gjë që duket e pajustifikuar.

“Ato duan të bëjnë një rrugë, kanë marrë pjesët e shtëpiave private dhe tani nuk kuptoj pse duhet të hedhin dhe pallatet nga ana tjetër,” thotë ajo, duke theksuar se nuk janë njoftuar kurrë zyrtarisht.

Protestuesit argumentojnë se vendimi i bashkisë shkel të drejtat e tyre themelore dhe kushtetuese, duke qenë se projekti nuk ka legjitimitet dhe asnjë justifikim të sigurisë publike, pasi lagjet nuk paraqesin problematika.

 “Në 400 metra segment bëhet një zgjerim ekstrem i rrugës, e cila në fund përfundon e mbyllur,” shpjegon një banore, duke shtuar se projekti prek edhe një jetimore, duke cenuar aksesin dhe sigurinë e fëmijëve.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa janë të vendosur në qëndrimin e tyre, duke deklaruar se nuk do të largohen nga pronat e tyre me dokumente të rregullta.

“Ne nuk largohemi nga banesa jonë. Ne sot pritnim një konsultim nga bashkia, jo të na sillnin letrën për largim. Ne nuk dalim. Aty do vdesim në shtëpitë tona. Le të vijnë të na shembin brenda,” deklaroi një tjetër protestuese, duke përmbledhur vendosmërinë e gjithë komunitetit për të mbrojtur shtëpitë e tyre.

´Na ka ardhur një letër sot, e ka bërë në datën gjashtë, që dhe sot ka shpërndarë në mënyrë masive zarfa për shembje pafund. Edhe thotë që t'ju japim një kontratë qiraje, të dilni nga shtëpia edhe ne do i shembim. Si mund të dorëzoj unë një shtëpi që e kam me dokumenta, në mes të Durrësit dhe ma ka bërë vlerën 170 mijë lekë të vjetra metri katror? Si mund ta dorëzoj shtëpinë unë, 64 metra truall edhe shtëpi edhe një me 170 mijë lekë? Këto tallen me këtë popull. Këta i ka dhënë fjalën bandave të Durrësit me Vangjush Dakon. Do bëhen hotele, pallate, ne i dimë. Sot janë shpërndarë zarfat në mënyrë masive. Ne kërkojmë, kërkojmë drejtësi dhe të dalin të na shpjegojnë. Ka dhe nga te Çezma e Ferrës po flasin´, shprehet një banore.

´Unë ndodhem te Çezma e Ferrës. Kam dy prona në të njëjtën rrugë, te Njështulla e vjetër, aty ku... Aty ku është projekti i ndërtimeve që që kanë bërë këta. Ato duan të bëjnë një rrugë, kanë marrë pjesët e shtëpiave private dhe tani nuk kuptoj pse duhet të hedhin dhe pallatet nga ana tjetër. Se nuk e di çfarë rruge do bëhet kjo, 20 metra, sikur do bëhet një autostradë. Këtë nuk e kuptoj. Pastaj dhe s'na kanë lajmëruar fare. Vetëm vetëm na kanë thënë njerëzit që me datë 16 do të... Ku të shkojnë këta njerëz? Janë njerëz pensionistë, me një pension minimal edhe edhe do t'i japin një një një shifër skandaloze, në një kohë që nuk gjen shtëpi poshtë 70 mijë euroshit këtu. Në qoftë se ato duan të bëjnë projekte, bujrëm, le të bëjnë çfarë t'u dojë qejfi, të fusin njerëzit nëpër shtëpi, atje t'i sistemojnë. Është detyra e bashkisë sepse po na marrin pronën. Nuk është se po... është prona e bashkisë ajo edhe edhe po bëjnë çfarë u do qejfi. Njerëzit janë... le që janë keq po pleq të sëmurë. Nuk e di si mund të blejnë ato një shtëpi tjetër. Në një kohë që shtëpiat që ka ndërtuar bashkia janë bosh, pallatet private me janë të gjithë bosh edhe nuk paska hyrje për të sistemuar këta njerëz. Ne nuk dalim nga shtëpia. Mos kujtojnë se nuk e kemi marrë vesh projektin që do të vendosin sot´, theksoi ajo.

´Është e papranueshme fakti që këto shkelin një të drejtë njerëzore, kushtetuese, pa patur as legjitimitet se realisht kjo gjë nuk ka, nuk është legjitime, nuk ka një qëllim legjitim. Nuk është siguria publike sepse si lagje asnjëra nga këto nuk nuk paraqet problematika. Në 400 metra segment, ato që kanë shënuar për shembull te lagja ime CS 28 deri te CS 2, bën një zgjerim të rrugës që është ekstrem dhe nuk ka funksionalitet sepse në fund të rrugës rruga përfundon e mbyllur. Dhe rruga Sul Demneri që është rruga që kufizohet me të, kanë bërë një vijëzim minimal prej 1 metrash që prekin gjithsesi kolonat ose ose hyrjet e disa ndërtesave, ndër të cilave është edhe një jetimore. Që realisht nuk e di se si mendojnë që këto fëmijë do dalin jashtë ose si do takojnë ato dy prindër që do vijnë t'i shohin ose ato njerëz që do shkojnë të interesohen për ato fëmijë. Përveç komunitetit që nëse është një vijë vilash apo është i gjithë pallati që ndërtohet aty, jemi në zonë kadastrale A. Dhe opsioni që mendonin ato të na ofronin ishin disa ndërtesa në Shkallnur, këneta, nuk e di në zona në zona... dhe paratë duan t'i japin me me këste. Mua nuk më intereson çfarëdo që duan të japin. Unë kam blerë dy prona në të njëjtën rrugë me një prospektivë zhvillimi për biznes, për t'u kthyer pas 10 vitesh nga emigracioni dhe për të për t'u kujdesur për prindërit e mi dhe familjen time. Dhe unë këtë gjë nuk e kam më luksin ta bëj sepse ky shtet këtu vendos në mënyrë ilegjitime, në mënyrë jo të ligjshme, duke shkelur të gjitha të drejtat e njerëzve, për të bërë një projekt që nuk ka asnjë lloj sensi´, shpjegojnë banorët.

´Ne nuk largohemi nga banesa jonë, absolutisht se jemi me letra me dokumenta të rregullta, nuk ka të drejtë të na nxjerrin nga një nga prona jonë. Nuk kemi pasur konsultim, biles ne sot pritshim një konsultim nga bashkia, që këto 14 familje të merrshin një, një përgjigje nga bashkia, jo të na bishnin letrën për largim nga shtëpia. Ne nuk dalim. Ne aty do vdesim në shtëpitë tona. Le të vijë ndonjë, le të vijë, le të vijë të na bijë me fadromë. Ne nuk largohemi. Absolutisht nuk largohemi´, paralajmërojnë banorët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco