'Vlora rrezikon përmbytje sa herë bie shi', banorët: Vetëm një pompë e hidrovorit funksionon, kërkojmë riparimin e 3 të tjerave

'Vlora rrezikon përmbytje sa herë bie shi', banorët: Vetëm një pompë e hidrovorit funksionon, kërkojmë riparimin e 3 të tjerave

11:37, 26/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Reshjet e shiut me intensitet deri mesatar, të vona mbrëmjen e djeshme dhe gjatë orëve të para të ditës së sotme, kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në kanalet e qytetit të Vlorës, duke shkaktuar probleme për disa familje që jetojnë pranë hidrovorit në lagjen “Kushtrimi”.

Janë më shumë se 10 banesa në këtë zonë ku uji ka hyrë në oborret e tyre, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për banorët. Sipas tyre, situata përsëritet çdo herë që bie shi, për shkak të mosfunksionimit normal të hidrovorit të qytetit.

Nga katër pompat që ka hidrovori, aktualisht vetëm njëra është në funksion, pasi të tjerat dëmtohen nga mbeturinat që grumbullohen në kanalet e ujit.

Kjo ka sjellë rritje graduale të nivelit të ujit në kanalin që shkon drejt pompave dhe, për pasojë, përmbytjen e oborreve të banorëve.

“Sa herë bie shi, uji hyn në oborret tona. Kemi bërë thirrje, por situata nuk ndryshon. Banesat përmbyten vazhdimisht dhe rrezikojmë pasojat,” shprehet një prej tyre.

“Nga katër pompat që kemi, vetëm një funksionon për momentin. Pompat e tjera dëmtohen nga mbeturinat e shumta që grumbullohen në kanale,” deklaron një punonjës i hidrovorit të Vlorës.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për riparimin dhe mirëmbajtjen e pompave, për të shmangur përmbytje të reja dhe dëme në banesa.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco