Solidaritet për Dajana Kalo, mblidhen mbi 200 mijë euro për trajtimin mjekësor

Solidaritet për Dajana Kalo, mblidhen mbi 200 mijë euro për trajtimin mjekësor

12:50, 20/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rasti i influencieres dhe modeles shqiptare Dajana Kalo, vetëm 25 vjeçe, ka tronditur opinionin publik, duke nxjerrë në pah njëkohësisht forcën e solidaritetit qytetar dhe problematikat serioze të shëndetësisë publike në Shqipëri. Dajana ndodhet e shtruar në QSUT 'Nënë Tereza' që prej 29 dhjetorit, pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale të shkaktuar nga një Malformacion Arteriovenoz (MAV/AVM), gjendje e rëndë dhe kërcënuese për jetën. Aktualisht ajo nuk ecën dhe nuk lëviz anën e djathtë të trupit.

Ndërsa gjendja e saj kërkon ndërhyrje të specializuar dhe vendimmarrje urgjente, familjarë dhe miq kanë denoncuar zvarritje, mungesë përgjegjësie dhe moskryerje në kohë të ekzaminimit jetik Arteriografi (DSA), i domosdoshëm për të vendosur mbi trajtimin kirurgjikal. Sipas denoncimeve, ndonëse QSUT disponon pajisje për këtë ekzaminim, për javë të tëra nuk është ofruar zgjidhje, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe orientim të pacientëve drejt spitaleve private me kosto shumë të larta.

Përballë kësaj situate dhe shpenzimeve të papërballueshme, familja u detyrua të hapë një fushatë GoFundMe. Thirrja për ndihmë u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u mbështet nga figura publike e media, duke bërë që brenda pak orësh të mblidhen mbi 200 mijë euro për trajtimin dhe rikuperimin e Dajanës.

Rasti ka ngjallur reagime të forta edhe për përgjegjësinë institucionale, duke e kthyer historinë e Dajanës jo vetëm në një betejë personale për jetën, por edhe në një simbol të dështimeve të sistemit shëndetësor publik. Njëkohësisht, reagimi masiv qytetar mbetet një mesazh i fortë shprese dhe dëshmi se solidariteti i shqiptarëve mbetet i gjallë në momentet më të vështira.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco