75 vite nga dita e vdekjes së Marie Tucit, Kisha Katolike në Shkodër përkujtoi të vetmen grua mes 38 martirëve të saj. Arqipeshkvi Peragine u shpreh se historia e Marie Tucit është një nga dëshmitë më të dhimbshme dhe madhështore të qëndresës.
Nga SYRI TV
Torturat çnjerëzore të regjimit komunist i morën jetën kur ishte vetëm 22-vjeçe. E futur në një thes bashkë me një mace dhe ku goditej barbarisht, Marie Tuci mbylli sytë në spitalin e Shkodrës, nga dhuna mizore vetëm sepse guxoi t’i dilte kundër sistemit.
75-vite nga dita e vdekjes së saj, Kisha Katolike në Shkodër e përkujtoi të vetmen grua mes 38 martirëve të saj. Gjithçka nisi nga vendi ku ajo u arrestua dhe u torturua, qelia nr. 13 në ish-burgun famëkeq në qendër të Shkodrës, sot vendi i dëshmisë dhe kujtesës.
Procesioni me lutje e këngë vijoi drejt kishës së motrave stigmatine, aty ku u kremtua mesha e shenjtë nga arqipeshkvi, Giovanni Peragine. Dëshmia e fesë kërkon guxim dhe qëndrueshmëri. Duke parë jetën e Marie Tucit, këto fjalë e kanë udhëhequr egzistencën e saj - tha arqipeshkvi Peragine.
Historia e Marie Tucit është një nga dëshmitë më të dhimbshme dhe madhështore të qëndresës ndaj shtypjes dhe dhunës ideologjike. Në një kohë kur regjimi komunist shqiptar nisi një valë terrori ndaj klerit katolik dhe atyre që nuk pranonin të mohonin besimin, Marie Tuci, një grua e re, u ngrit si një simbol i pathyeshmërisë dhe sakrificës.
© SYRI.net