Në zonën e Zvirinës, në bashkinë e Maliqit, fermerët po përballen me një sërë sfidash në prodhimin e mollës, një nga kulturat më të rëndësishme bujqësore të rajonit.
Llambi Rapo, një prej fermerëve të zonës, tregon se ndonëse ky vit ka qenë disi më i favorshëm në aspektin e çmimit të tregut, problemet e përhershme me furnizimin me ujë dhe kostot e larta të punimeve bujqësore vazhdojnë të rëndojnë ndjeshëm mbi prodhuesit.
Sipas tij, periudhat e thata gjatë verës kanë vështirësuar procesin e vaditjes, ndërsa zgjidhja për momentin mbetet hapja e puseve në parcelat bujqësore, një praktikë që shumë fermerë po e ndjekin me burimet e tyre të kufizuara.
LEXO EDHE: Fermerët heqin dorë nga mbjelljet për shkak të mungesës së përkrahjes dhe prodhimeve të huaja
“Uji është problemi më i madh. Pa ujë, asnjë prodhim nuk ka garanci,” – shprehet Rapo.
Edhe pse qeveria ka premtuar mbështetje përmes subvencioneve dhe ndihmës me naftë bujqësore, fermerët thonë se këto fonde nuk kanë mbërritur ende tek ata. Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburantit, plehrave kimike dhe shërbimeve të transportit i ka bërë kostot e prodhimit gjithnjë e më të larta.
LEXO EDHE: Blegtoria drejt falimentimit në juglindje, fermerët në krizë: Nuk mbulojmë dot as shpenzimet
Një tjetër shqetësim i madh për fermerët e Maliqit mbetet importi i mollëve nga jashtë vendit, që mund të ndikojë negativisht në çmimet e tregut vendas.
“Nëse vijnë mollë nga jashtë me çmime të ulëta, ne nuk kemi mundësi të shesim prodhimin tonë,” – thekson Rapo, duke shtuar se prodhuesit vendas kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje nga shteti për të mos u përballur me humbje ekonomike.
© SYRI.net