Fermerët heqin dorë nga mbjelljet për shkak të mungesës së përkrahjes dhe prodhimeve të huaja

Fermerët heqin dorë nga mbjelljet për shkak të mungesës së përkrahjes dhe prodhimeve të huaja

12:48, 14/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në zonat bujqësore të Pojanit dhe Ndërmënasit, në bashkinë Fier, kjo vjeshtë po shënon një rënie të ndjeshme të sipërfaqeve të mbjella me kultura të stinës.

Shumë parcela që dikur ishin të gjelbra dhe plot prodhim, sot mbeten të papunuar, ndërsa fermerët janë detyruar të kufizojnë mbjelljet vetëm për konsum vetjak.

Fermerët thonë se arsyet janë kryesisht ekonomike. Rritja e çmimit të karburantit ka rritur kostot e punimeve bujqësore, mungesa e subvencioneve dhe mbushja e tregjeve me prodhime të huaja kanë bërë që punimi i tokës të mos jetë më i leverdisshëm.

“Punojmë, harxhojmë, por në fund mbetemi me humbje,” shprehen fermerët, duke theksuar se mungesa e tregut dhe përkrahjes nga shteti po e çon bujqësinë drejt shuarjes. Prodhimet bio vendase zëvendësohen nga importet, shpesh me cilësi më të dobët, por me çmime më të ulëta, duke e bërë të vështirë konkurrencën për fermerët lokalë.

Shpopullimi i zonave rurale dhe zhgënjimi i fermerëve po kthejnë bujqësinë shqiptare në një sektor që mbijeton me vështirësi, duke e bërë të rrezikuar të ardhmen e tokave dhe traditës bujqësore.

Banorët e këtyre fshatrave kërkojnë ndërhyrje urgjente nga qeveria për të siguruar treg dhe mbështetje financiare, në mënyrë që bujqësia të mos mbetet vetëm një kujtim i së shkuarës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco