Sipas një studimi të ri, dy nga tre gra janë ende në proces rikuperimi edhe vite pas lindjes së një fëmije, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht dhe mendërisht. Në një anketë me 2000 gra që kanë lindur në tre vitet e fundit, 59% thonë se ende ndihen sikur po “rikuperohen” edhe pas dy vitesh nga lindja.
Mesatarisht, një nënë kishte nevojë për katër javë për t’u shëruar fizikisht, por rikuperimi mendor zgjati më shumë, rreth gjashtë javë. Madje, 43% thanë se iu deshën mbi tetë javë për të rimarrë veten mendërisht, krahasuar me vetëm 17% që u deshën aq për rikuperimin fizik.
Studimi, realizuar nga Talker Research për Intimina, zbuloi se 88% e nënave ndihen se askush nuk i përgatit vërtet për atë që i pret pas lindjes. Gati gjysma (47%) thanë se rikuperimi nga lindja e fundit ishte më i vështirë se herët e tjera.
Ndërsa u deshën rreth gjashtë javë për të rifilluar aktivitetet fizike si puna apo ushtrimet, 62% e grave ende nuk ndihen si personi që ishin para lindjes. Më shumë se gjysma (51%) pranojnë se trupi i tyre ndoshta nuk do të ndihet kurrë njësoj si më parë.
Ndryshimet e pritura përfshinin ndryshime hormonale (78%), lodhje (73%) dhe shenja në lëkurë (70%). Më pak të pritura, por të shpeshta ishin dobësimi i dyshemesë pelvike (17%) dhe ndryshimet në zonën pelvike (18%).
Rreth 72% e grave thonë se trupi i tyre vazhdon të ndryshojë pas lindjes, përfshirë 61% që kanë lindur para më shumë se dy vitesh. “Ka një boshllëk të madh mes asaj që u thuhet grave dhe asaj që përjetojnë realisht,” tha Dunja Kokotovic nga Intimina.
Shumë nëna dëshirojnë të kishin dëgjuar fraza si: “nuk ke pse të nxitohesh për t’u ndier normale”, apo “rikuperimi mund të jetë po aq intensiv sa lindja vetë.” Megjithatë, 79% ndihen në faj kur kujdesen për veten, dhe 48% thonë se kujdesi për veten u është përkeqësuar.
Mesatarisht, nënat i kushtojnë kujdes trupit të tyre vetëm tre ditë në javë, ndërsa 25% nuk kujdesen fare. Gjithsesi, 63% thonë se do kujdeseshin më shumë, po të dinin si.
“Rikuperimi pas lindjes nuk është luks, është nevojë jetike,” përfundon Kokotovic. / Talker News - Syri.net
© SYRI.net