SYRI TV/ Rriten rastet me sëmundje të lëkurës në Fier - 1 në 5 pacientë dyshohet për tumor, mjeku: Mos u mjekoni pa diagnozë

14:46, 15/06/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në Poliklinikën e Fierit po shtohen ndjeshëm rastet me probleme serioze të lëkurës, ku 1 në 5 pacientë dyshohet për sëmundje tumorale paralajmëron mjeku dermatolog Ermal Sina. Shkaktarët kryesorë janë dielli, ndotja dhe vetëmjekimi, ndërsa apel bëhet për kujdes të shtuar dhe diagnozë të specializuar.

Syri TV

Një alarm vjen nga Poliklinika e Fierit, ku mjekët dermatologë po përballen çdo ditë me një numër në rritje pacientësh të prekur nga probleme serioze të lëkurës, përfshirë edhe sëmundje me natyrë tumorale.

Mjeku dermatolog Ermal Sina deklaron se vetëm në Poliklinikën e qytetit paraqiten mbi 50 pacientë në ditë me shqetësime dermatologjike. Më shqetësuese, sipas tij, është se rreth 1 në 5 raste ngre dyshime për forma të ndryshme të sëmundjeve tumoriale të lëkurës.

Mjeku thekson se periudha e verës është veçanërisht problematike, pasi qytetarët shpesh vetëmjekohen në farmaci pa diagnozë të saktë, duke rrezikuar përkeqësimin e gjendjes. Ai apelon për kujdes dhe kontrolle të rregullta, veçanërisht nëse vërehen ndryshime të nishaneve apo shfaqje lezioneve të pazakonta në lëkurë.

Një tjetër faktor që ndikon në përhapjen e këtyre sëmundjeve është ndotja e mjedisit, sidomos në zonat naftëmbajtëse të qarkut të Fierit, ku numri i rasteve të rënda dermatologjike është dukshëm më i lartë. Në fund, mjeku rekomandon shmangien e diellit në oraret e pikut, përdorimin e kremrave mbrojtës dhe konsultën me specialistin për çdo ndryshim në lëkurë, pasi ndërhyrja në kohë mund të jetë vendimtare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco