Nuk është një ndarje e mirë. Ata kanë qenë gjithmonë dy “bishat e mëdhenj” që janë mësuar ta kenë gjithmonë fjalën e fundit. Dy meshkuj alfa, nëse e përdorim metaforën evolucionare, që përpiqeshin të shkonin mirë me njëri-tjetrin. Dhe tani, marrëdhënia mes Donald Trump-it e Elon Musk-ut është në pikën e shkrirjes.
Kush mund ta harrojë atë imazh ikonë nga vetëm disa javë më parë? Elon Musk që qëndron pas presidentit amerikan të ulur, Donald Trump, në Zyrën Ovale, duke e tejkaluar me trup. Trump, me duart e kapura, që duhet të kthehet në mënyrë të sikletshme për të parë nga lart drejt tij. Gjuha e heshtur e trupit. Musk i shoqëruar nga djali i tij katërvjeçar, një imazh simpatik dhe informal, ose një sinjal i madh evolucionar për potencial riprodhues dhe dominim, në varësi të këndvështrimit tuaj.
Qartazi ishin edhe dy ego shumë të mëdha narciste që dilnin krenarisht në rrugë me një makinë sportive me tavan të hapur. Musk u emërua këshilltar i posaçëm i Trump-it, në krye të Departamentit për Efiçencën Qeveritare, për të prerë tepricat dhe shpërdorimet. Për një kohë, ishte si shoferi rezervë në sediljen e pasme.
Pati shumë viktima burokratike në rrugën e tyre, të shkelur në anë të autostradës ndërsa makina sportive lëvizte me shpejtësi të frikshme. Por gjithmonë pritej që gjërat do të bëheshin të vështira nëse do të godisnin ndonjë gropë në rrugë. Dhe kështu ndodhi. Ndoshta, më shpejt nga sa shumëkush e kishte parashikuar.
Ka mendime të ndryshme për atë që e shkaktoi përplasjen. Shumë i vunë fajin rënies dramatike të shitjeve të Teslës, një rënie prej 71% në fitime vetëm në një tremujor, dhe ndikimit të pashmangshëm në reputacionin e Musk-ut. Që nga ndarja, çmimi i aksioneve të Teslës gjithashtu ka rënë ndjeshëm, teksa investitorët janë kapluar nga paniku. As sulmet ndaj salloneve të shitjes së Teslës nuk kanë ndihmuar.
Të tjerë treguan propozimin e Trump-it për të hequr kredinë tatimore për pronarët e automjeteve elektrike, ose reagimin politik në Uashington për përfshirjen e mundshme të SpaceX në sistemin e propozuar nga Trump për mbrojtje nga raketat, “kupola e artë”.
Megjithatë, sipas ish-strategut të Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, ajo që e shkaktoi me të vërtetë përplasjen ishte refuzimi i presidentit për t’i treguar Musk-ut planet e Pentagonit për një luftë të mundshme me Kinën. Ka një kufi se sa larg mund të të çojë miqësia me presidentin. Bannon raportohet të ketë thënë: “E ndieje. Gjithçka ndryshoi.” Sipas Bannonit, ky ishte fillimi i fundit.
Tani po i shohim Trump-in dhe Musk-un duke u larguar të lënduar nga vendi i aksidentit. Një minutë Trump bën spektakël për kamerat. Ai shkëlqen dhe prezanton “projektligjin e madh dhe të bukur”, një projektligj për pajtueshmëri buxhetore që bashkon qindra propozime të diskutueshme. Më pas, ai e akuzon Musk-un se “i ka ikur mendja" dhe flet për tërheqjen e kontratave qeveritare nga perandoria e Musk-ut.
Edhe Musk është i pakënaqur. “Më vjen keq, por nuk e duroj dot më. Ky projektligj kongresional i mbushur me shpenzime të tepruara, abuzive dhe të turpshme është një neveri e ndyrë,” shkroi ai në X. “Turp për ata që votuan për të: e dini që bëtë keq.”
Refuzimi dhe ripozicionimi
Ai thotë se ndihet i neveritur nga ligji. Neveria është një nga emocionet më primitive. Një mekanizëm mbijetese, duhet të shmangësh atë që të neverit. Ai po jep një sinjal social këtu, duke paralajmëruar të tjerët se ka diçka të neveritshme në kamp.
Musk është shumë i ndjeshëm ndaj perceptimit publik, ndoshta edhe më shumë se Trump-i. Me marrjen e X (ish-Twitter), Musk ishte në gjendje të drejtonte (e të shtonte) diskutimin online, duke formësuar bisedat publike.
Psikologjikisht, refuzimi i Trump-it nga ana e Musk-ut është një përpjekje për t’u ngritur vetë dhe për ta ulur figurën pas projektligjit. Ai mund t’i kundërvihet veprimeve të presidentit si askush tjetër. Po e pozicionon veten sërish si një mendimtar i lirë, rrezikmarrës, inovativ, i guximshëm, i palidhur me asnjë aleancë. Ky është personaliteti i tij, marka e tij, dhe ai po e riafirmon atë.
Por është gjithashtu një akt hakmarrjeje. Dhe ndoshta kujton një tjetër njeri të brendshëm në politikë (dhe geek), këshilltarin e dikurshëm të Downing Street, Dominic Cummings, i shkarkuar nga kryeministri britanik Boris Johnson në vitin 2020. Cummings u akuzua se qëndronte pas rrjedhjeve të informacionit për mbledhjet sociale në Downing Street.
Më pas e kritikoi Johnsonin se i mungonte disiplina dhe përqendrimi që i duhej një kryeministri dhe vuri në dyshim aftësitë dhe vendimmarrjen e tij. Hakmarrja e një gjeniu të vetëshpallur.
Dhe hakmarrja është e ëmbël. Në një studim të vitit 2004, studiuesit skanuan trurin e pjesëmarrësve duke përdorur tomografinë me emetim pozitronesh (PET), një teknikë imazherike mjekësore që përdoret për të studiuar funksionin e trurit (ndër të tjera), ndërsa pjesëmarrësit luanin një lojë ekonomike të bazuar në besim. Kur besimi shkelej, pjesëmarrësit ndienin dëshirë për hakmarrje, dhe kjo reflektohej në rritjen e aktivitetit në zonat e trurit të lidhura me ndjesinë e shpërblimit, konkretisht në striatumin dorsal.
Me fjalë të tjera, hakmarrja ka më shumë të bëjë me ndjenjën e mirë personale sesa me ndreqjen e ndonjë padrejtësie. Veprimi yt mund të të bëjë të dukesh moral, por në të vërtetë mund të jetë më shumë egoist.
Por për çfarë hakmarrjeje bëhet fjalë këtu? Këtu hyjnë në lojë këto ego të mëdha narcisiste.
Nga pikëpamja psikologjike, narcisistët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj fyerjeve të perceptuara, qofshin ato reale apo të imagjinuara. Musk mund të ketë ndjerë se Trump po përpiqej të minimizonte arritjet e tij për përfitime politike, duke shkelur kështu një pakt të ndërsjellë respekti. Kjo lloj ndjeshmërie mund ta kthejë admirimin në përçmim me një shpejtësi të frikshme.
Për ironi, përçmimi është parashikuesi më i fortë i prishjes së marrëdhënieve shumë të afërta.
Përçmimi dhe neveria janë emocione të fuqishme, të zhvilluara për të na mbrojtur: neveria nga ndotja fizike (ushqim i prishur, sëmundje) dhe përçmimi nga ndotja shoqërore ose morale (tradhti, paaftësi). Të dyja përfshijnë refuzimin, neveria refuzon diçka fizikisht; përçmimi refuzon diçka në aspektin shoqëror ose moral. Musk mund të jetë duke ia dhënë Trump-it të dyja në të njëjtën kohë.
Ndarjet janë gjithmonë të vështira, por bëhen shumë më të rënda kur emocione si këto ndërthuren në proces.
Por si do të reagojë njeriu më i fuqishëm në botë ndaj këtij lloj refuzimi nga njeriu më i pasur në botë? Dhe ku do të përfundojë gjithë kjo? The Conversation - Syri.net
© SYRI.net