Vlora turistike mbytet sërish nga tymi toksik, me plehrat digjen dhe premtimet e Ramës e Ermal Dredhës

14:45, 07/06/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sezoni turistik erdhi. Dhe bashkë me të, si çdo vit, u përsërit një nga krimet më të rënda mjedisore dhe shëndetësore në Vlorë – djegia e fushës së mbetjeve, me bekimin dhe heshtjen e qeverisë.

Të shtunën, më 7 qershor, flakët përfshinë sërish fushën e mbetjeve në lagjen “24 Maji”, duke mbuluar qytetin me shtëllunga tymi toksik.

Ky është viti i pestë radhazi që zjarri që ndodh i njëjti skenar pavarësisht premtimeve të përsëritura – aty pranë fushës së mbetjeve sa herë bie zjarri - asgjë nuk ka ndryshuar duke ekspozuar papërgjegjshmërinë e autoriteteve lokale dhe qendrore për t’i dhënë fund kësaj krize urbane.

E banorët pasi u ushqyen me propagandën paraelektorale të Ramës, - para zgjedhjeve të 11 majit -, për investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin turistik të qytetit,  tani vijojnë të thithin helmin e ndotjes.

Propagandës i del tymi

Ladfilli i Sherishtës, i premtuar se do të vihej në punë prej 2021 ende nuk është vënë në funksion.

Në 26 tetor të vitit 2023 Kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit të punimeve për Lungomaren në Radhimë, deklaronte me bindje se do të merrte fund djegia e mbetjeve urbane Vlorë.

“Duhet ta mbyllim tani para sezonit. Ju thoni cfarë thoni. të jetë e deklaruar se ska më historira mbetjesh” tha ai më 26 tetor 2023.

Sipas kryeministrit dhe kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha plehrat në pranverën e vitit 2024, do të depozitoheshin në landfillin e Sherishtës, ndërsa landfilli i vjetër i mbetjeve do të mbyllej.

Pranvera dhe vera e 2024 erdhën e ikën. Plehrat, jo vetëm nuk u zhvendosën në landfillin e Sherishtës, por në kulmin e sezonit turistik, në muajin Korrik  landfilli në lagjen ‘24 maji’ u përfshi nga flakë deri apokaliptike, ndërsa Dredha akuzoi KFW-n për dështimin e Sherishtës.

Fusha e mbetjeve u përfshi përsëri nga zjarri në nëntor 2024, e një muaj më pas, Ermal Dredha në mbledhjen e këshillit bashkiak deklaronte se Sherishta do hapej në janar 2025.

Janari iku, erdhi marsi e investimi gati 21 milionë euro në Sherishtë sërish nuk priti plehra, të cilat u dogjën në mes të Vlorës. I zënë ngushtë nga zjarri i radhës në fushën e mbetjeve, Ermal Dredha premtoi përsëri.

“Shpresojmë nga fund i kësaj jave të nisim me hedhjen e mbetjeve në fushën e Sherishtes” deklaroi në mars.

E tani 3 muaj më pas, sërish  Vlora turistike mbytet nga tymi i mbetjeve.

Landfilli i Zotos që vijon i kyçur 

Venddepozitimi i mbetjeve në Vlorë, i cilësuar i rrezikshëm nga autoritetet lokale prej vitesh, do duhej të ishte mbyllur dhe Bashkia e Vlorës do duhej të depozitonte mbetjen në landfillin e ri të Sherishtës që në qershor 2021. Por afati i hapjes së këtij të fundit shtyhet vit pas viti dhe punimet aty janë bllokuar.

Landfilli i Sherishtës është vetëm një nga aktet e sagës së aferës së inceneratorëve në Shqipëri. Ndërtimi i tij është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro të financuar nga KfË, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi dhe pjesa tjetër grante.

Në qershor 2020, Integrated Technology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane Bulfaro Spa, u shpallën fituese të një tenderi prej 9.8 milionë eurosh për ndërtimin e landfillit me një kapacitet prej 350 mijë ton mbetje. Por prej 14 dhjetorit 2021, kompania është nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Aksioneri i saj i vetëm, Klodian Zoto është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit dhe është dënuar dy herë nga gjykata për akuzat për pastrim parash dhe korrupsion në aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.

Vlora prej vitesh është në mëshirë të gazrave helmues që dalin prej djegies së fushës së mbetjeve, për të cilën opozita disa herë e ka akuzuar qeverinë si fajtore për situatën dhe ka ngritur zërin për banorët që po u dëmtohet shëndeti e po i bëhet gropa turizmit dhe dinjitetit të një qyteti të tërë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco