Ndryshe nga sa trumbetohet nga qeveria dhe institucionet për shëndetësi falas, Onkologjiku të përball me realitetin e frikshëm për të zgjedhur mes jetës e vdekjes. Kronika në vijim na njeh me vështirësitë e të sëmurëve me kancer, që detyrohen të vijnë nga rrethet për të bërë kimioterapi dhe shpeshherë përballen me mungesë medikamentesh dhe kushtet bazike në spital.
Nazmi Picari, që prej orës 08:00 të mëngjesit të kësaj të premteje, ndodhet në spitalin e Onkologjikut. E takojmë pas orëve të gjata pritjeje në Onkologjik, pasi ka bërë kimioterapinë.
Prej tre vitesh, që kur ka marrë dijeni për sëmundjen kancerogjene, është i detyruar të vijë në Spitalin e Onkologjikut nga Durrësi çdo javë për të bërë kimioterapinë. Edhe këtë të fundit është detyruar ta bëjë në karrocë invaliditeti, pasi brenda ambienteve spitalore, poltronet dhe shtretërit janë të kufizuara.
Pavarësisht propagandës së qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për shëndetësi falas, për gjithçka i duhet të paguajë nga xhepi, madje edhe për analizat.
Vetë Nazmiu tregon për vështirësitë për të mposhtur sëmundjen, ndërsa në të shihet zhgënjimi për shëndetësinë falas.
Njëjtë si Nazmi Picari, është edhe Etleva, e cila që prej 22 prillit ka mbërritur nga Gjermania për në Onkologjik, për t’i qëndruar pranë motrës së saj, që, siç tregon ajo, ndodhet në ditët e fundit për shkak të agravimit të sëmundjes.
Si një shqiptare që ka jetuar e punuar jashtë, Etleva na thotë se është e detyruar të kujdeset vetë për të motrën.
Etleva shton, ndër të tjera, se në Onkologjik mungon çdo gjë, që te CD-ja, për të cilën i duhet të bëjë skanerin e së motrës, apo dhe gjëra të tjera më elementare.
E vetëdijshme se e motra nuk do t’ia dalë në këtë betejë jetë a vdekje, Etleva jo vetëm që është zhgënjyer nga mjekësia, por edhe humanizmi…
© SYRI.net