E premtja e Madhe/ Mijëra besimtarë mblidhen në Tiranë, Vlorë dhe Korçë, mbahen shërbesa në përkujtim të vuajtjeve të Jezu Krishtit

E premtja e Madhe/ Mijëra besimtarë mblidhen në Tiranë, Vlorë dhe Korçë, mbahen shërbesa në përkujtim të vuajtjeve të Jezu Krishtit

20:32, 18/04/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 E Premtja e Madhe ka mbledhur mijëra besimtarë në qytete të ndryshme të vendit. Në këtë ditë, Jesu Krisht pranon vuajtjen dhe vdekjen për shpëtimin e njerëzve. Të gjitha vajtimet, kryqëzimi dhe varrosja e Krishtit shihen e përjetohen nën dritën e Ngjalljes. 

Shërbesa e së Premtes së Madhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani. Shërbesa filloi në orën 18:00 dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e gjallë të klerikëve, korit Bizantin dhe besimtarëve, në një atmosferë përulësie e përqendrimi shpirtëror.

Edhe Korça është shndërruar në një nga epiqendrat e festimeve të Pashkëve këtë fundjavë, teksa besimtarë dhe turistë nga Shqipëria janë mbledhur për të kremtuar ngjarjen e shenjtë. Mbi 12 mijë persona kanë hyrë nga pika kufitare e Kapshticës vetëm gjatë ditëve të fundit, ndërsa atmosfera festive ka përfshirë gjithë qytetin.

Besimtarët i janë bashkuar riteve fetare në përkujtim të vuajtjeve të Jezu Krishtit. Ceremonia është udhëhequr nga At Ilia Kotnani, ndërsa rrugët dhe kishat e qytetit janë mbushur me njerëz. Pritet që edhe nata e së shtunës, kur kremtohet Ringjallja, si dhe e diela e Pashkëve, të shoqërohen me pjesëmarrje masive.

Edhë në Kishën e Shën Theodhorit në Vlorë u zhvillua ceremonia e daljes së epitafit, një nga momentet më të rëndësishme të Pashkëve. Qindra besimtarë morën pjesë në procesionin solemn, duke ndjekur ritin tradicional me qirinj të ndezur dhe këngë liturgjike. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco