Ministria Italiane e Arsimit ndalon simbolet gjinore neutrale në shkolla

Ministria Italiane e Arsimit ndalon simbolet gjinore neutrale në shkolla

15:59, 27/03/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministria e Arsimit dhe Meritës në Itali ka urdhëruar shkollat të ndalojnë përdorimin e simboleve gjinore neutrale, duke argumentuar se ato nuk janë në përputhje me gjuhën italiane.

Ministria nxori një memorandum të premten, duke shprehur kundërshtimin ndaj simboleve që përdoren për të neutralizuar gjininë në fjalët italiane, duke u kërkuar institucioneve të "ruajnë përdorimin e gjuhës së saktë dhe të kuptueshme" në komunikimet zyrtare.

"Ministria e Arsimit dhe Meritës u ka dërguar një qarkore të gjitha shkollave për të përsëritur se në komunikimet zyrtare është thelbësore të respektohen rregullat e gjuhës italiane," thanë zyrtarët e ministrisë në një memorandum. "Përdorimi i shenjave grafike të papajtueshme, si ylli (*) dhe schwa (ə), është në kundërshtim me normat gjuhësore dhe rrezikon të komprometojë qartësinë dhe njëtrajtshmërinë e komunikimit institucional."

Gjuha italiane, si gjuhët e tjera romane, përdor modele gramatikore të bazuara në gjini, të dukshme në fundoret e emrave dhe klasifikimin e fjalëve si "mashkullore" dhe "femërore".

Simbolet e reja, si ylli (*) dhe schwa (ə) – një "E" e përmbysur – përdoren nga aktivistët e ideologjisë gjinore në Itali për të zëvendësuar mbaresat gjinore, si "O" për gjininë mashkullore dhe "A" për gjininë femërore.

Megjithëse përdorimi i tyre mbetet i rrallë, mbështetësit argumentojnë se ato ndihmojnë në përfshirjen e personave "jo-binarë" ose atyre që nuk ndihen rehat duke u identifikuar me ndonjërën nga gjinitë tradicionale.

I njëjti parim është vërejtur edhe në Shtetet e Bashkuara me përdorimin e termit "Latinx" për të shmangur termat gjinorë "Latino" dhe "Latina".

Ministria e Arsimit dhe Meritës në deklaratën e saj iu referua udhëzimeve të Accademia della Crusca, akademisë më të vjetër gjuhësore në botë, e cila konsiderohet si një nga autoritetet më të larta për përdorimin e duhur të gjuhës italiane.

"Accademia della Crusca ka theksuar në mënyrë të përsëritur se [simbolet gjinore neutrale] nuk janë gramatikisht të sakta dhe se përdorimi i tyre, veçanërisht në dokumentet zyrtare, pengon lexueshmërinë dhe aksesin në tekste," shkruan zyrtarët e ministrisë.

"Përdorimi arbitrar i këtyre simboleve fut elementë të paqartësisë dhe mospërputhjes, duke e bërë komunikimin më pak të kuptueshëm dhe më pak efektiv," vazhdon memorandumi.

Ky është beteja më e fundit kulturore për qeverinë konservatore të Kryeministres Giorgia Meloni, e cila synon të eliminojë tendencat progresive që, sipas saj, dëmtojnë kulturën dhe shoqërinë italiane.

Qeveria e Melonit ka shkarkuar drejtues progresistë nga institucionet publike të artit dhe kulturës në të gjithë vendin, duke i zëvendësuar ata me ekspertë që promovojnë trashëgiminë italiane.

Partia e saj, Vëllezërit e Italisë, argumenton se eksporti më i vlefshëm i vendit nuk janë burimet natyrore apo lëndët e para, por arritjet kulturore mijëravjeçare të gadishullit.

Vëllezërit e Italisë vazhdimisht propozojnë ligje për mbrojtjen e gjuhës italiane dhe për forcimin e statusit të saj si gjuha e vetme zyrtare e vendit. / Reuters - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco