Akademiku Artan Fuga ka denoncuar sot në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave mbifaturimet në projektet që realizohen nga ky institucion. Fuga theksoi se kishte vërejtje serioze mbi disa projekte, duke sugjeruar se ato ishin të mbifaturuara dhe se ishte i gatshëm të hartonte një raport për këtë çështje.
“Për disa projekte po të doni ju bëj një raport, ku disa projekte janë të mbifaturuara për mendimin tim, këto janë vërejtjet e mia,” deklaroi Fuga, duke shprehur shqetësim për mënyrën e menaxhimit të fondeve dhe mungesën e transparencës.
Nga ana tjetër, kryetari i Akademisë, Skënder Gjinushi, tentoi disa herë ta ndërpriste dhe e quajti “shashka dhe broçkulla” çdo vërejtje të bërë nga akademiku, duke i hedhur poshtë akuza serioze dhe duke e sfiduar në mënyrë të ashpër. Gjinushi, i cili e quajti Fugën “filozof” dhe “njeri që flet kot”, nuk u mundua të përballonte denoncimet e tij, duke treguar gjithashtu një mungesë të plotë respekti për etikën e diskutimit.
Fuga e mbylli fjalimin e tij duke shprehur gatishmërinë për të paraqitur raportin e tij mbi mbifaturimet dhe duke kërkuar më shumë transparencë nga institucioni.
Pjesë nga debati mes tyre në mbledhje:
Fuga: Sot shkenca nuk matet se ç’kërkon si buxhet por çfarë jep dhe si kontribut shoqëror dhe prurje të matshme. Këtu kemi vetëm çfarë harxhojmë dhe çfarë duam. Mendoj se nuk kemi akses në detajet që jepen për projektet dhe më duket e tepërt që qoftë dhe njeriu më I nderuar nga brenda një viti të ketë 7 projekte a 10 projekte me mijëra euro. Po si i realizon?
Gjinushi: Po kush? Po nuk flitet kështu po flet për kolegët. Cili?
Fuga: Ma lë të mbaroj
Gjinushi: Cili
Fuga: Unë këtu nuk do përmend emra
Gjinushi: Vërejtjet bëhen konkrete dhe jo teorira. Megjithatë bëj teorinë dhe do marrës përgjigje
Fuga: Për disa projekte po të doni ju bëj një raport, ku disa projekte janë të mbifaturuara për mendimin tim, Këto janë vërejtjet e mia
Gjinushi: Thuaje njërin, thuaje pra. Thuaje pra se derisa po e thua. Mos hidh shashka këtu.
Fuga: Ju lutem ruani etikën
Gjinushi: Jo jo, shashkat janë shkelja më e rëndë e etikës
Fuga: Ruani etikën. Më lini të flas. Nuk e di në shqip fjalën shashka, po ma shpjeguat
Gjinushi: Shashka janë broçkullat
Fuga: Aha… Po broçkullat çfarë janë?
Gjinushi: Diskursi yt i zakonshëm
Fuga: Po unë kush jam
Gjinushi: Ai që të njohin të gjithë
Fuga: Ju faleminderit z.kryetar. Kjo është etika
Gjinushi: Ti nuk del për të diskutuar por për të filozufuar. Në mënyrë të çuditshme bën sikur ngre probleme dhe s’je në gjendje të thuash kush është problem.
Fuga: Faleminderit për kritikën tuaj
Gjinushi: Etika më e keqe është kur flet kot
Fuga: Për ju ata që hedhin kritika janë armiq
Gjinushi: Këto që the nuk janë Kritika, vetëm tregojnë sesa i saktë është raporti
Fuga: Po mirë dakord, a do e them mendimin tim
Gjinushi: Ke akoma mendim?
Fuga: Unë mendoj se kam por mendimi i mendimit nuk është mendimi juaj
Gjinushi: Mendimi i mendimit është budallëk
Fuga: Faleminderit, unë nuk hy në atë etikë
Gjinushi: Tani thuaj dhe një shashkë të fundit
Fuga: Çfarë është shashka?
Gjinushi: Po ti je filozof, nuk di shashkën ti?
Fuga: Jo. Ta mbaroj. Nëse kryesia do një raport nga unë unë jam gati ta bëj dhe ta qarkulloj. Faleminderit.
Gjinushi: Ditën e mirë!
© SYRI.net