Dëshira është një fenomen i çuditshëm. Disa dëshira janë të lehta për t'u kënaqur, si të shijosh një vakt të mirë apo një banjë të ngrohtë. Të tjerat janë të pangopshme, duke çuar në detyrime apo varësi që na dëmtojnë. Në rastin më të keq, varësia duket si Sindroma e Stokholmit, një lidhje irracionale me diçka shkatërruese (Clendening, 2018).
Pse i dëshirojmë gjërat që as nuk na pëlqejnë? Përgjigjja qëndron tek ndarja e “dëshiruarit” dhe “pëlqimit” në tru.
Spikatja e stimujve
Nxitja për të kërkuar shpërblime quhet spikatje stimuluese. Ajo përcakton sa shumë diçka tërheq vëmendjen tonë. Sistemi i shpërblimit në tru, i cili funksionon me anë të dopaminës, na shtyn të kërkojmë këto shpërblime. Megjithatë, dopamina nuk është thjesht një "kimikat i lumturisë"; ajo parashikon dhe motivon sjelljet që synojnë shpërblimin (Schultz, 2016).
Pikat e nxehta hedonike
Kënaqësia, ose "pëlqimi," përpunohet në rajone të vogla të trurit të quajtura pika të nxehta hedonike, brenda nucleus accumbens. Neurotransmetues si endokannabinoidet dhe endorfinat shkaktojnë reagime të kënaqësisë (Morales & Berridge, 2020). Normalisht, dëshirimi dhe pëlqimi punojnë së bashku, nëse zbulojmë një frut të ëmbël, e shijojmë dhe kërkojmë më shumë.
Por këto sisteme mund të shkëputen nga njëra-tjetra.
Sensibilizimi i stimujve
Varësia rrëmben sistemin e shpërblimit në tru, duke e bërë dëshirimin tepër të fortë ndërsa dobëson vetëkontrollin. Me kalimin e kohës, kënaqësia nga një substancë apo sjellje venitet, por dëshira mbetet. Ky fenomen, i quajtur sensibilizim i stimujve, ushqen varësinë (Berridge & Robinson, 2016).
Edhe në jetën e përditshme, ne e përjetojmë këtë çekuilibër. Mund të vazhdojmë të kontrollojmë rrjetet sociale edhe pse na bëjnë të ndihemi keq, të rikthehemi në marrëdhënie toksike apo të pimë duke e ditur që do të pendohemi më pas. Sistemi i dopaminës vazhdon të aktivizohet edhe pasi pëlqimi është zhdukur. / Psychology Today - Syri.net
© SYRI.net