Në moshën 95-vjeçare, Lekë Tasi vazhdon të sfidojë veten dhe të përqafojë artin në të gjitha format e tij. Gjatë intervistës në “Odeon”, ai ndau planet e tij për të rikthyer në jetë pasionin për violinçelin, duke eksperimentuar me piktura të reja dhe përgatitur shkrime në poezi dhe prozë për botim.“Jam shumë i dhënë pas jetës,” tha ai, duke shpjeguar se energjia e tij buron nga dashuria për artin dhe dëshira për të krijuar gjithnjë diçka të re. Ai premtoi surpriza të tjera për publikun, duke përforcuar statusin e tij si një artist i jashtëzakonshëm.
Pjesë nga biseda:
Egla Xhemalaj: Ju keni shumë energji Zoti Lekë, një energji që unë e çmoj shumë, një energji jo vetëm për muzikën, pëqr pikturën, për shkrimtarinë në të njëjtën kohë, por dhe një energji të pashtershme për ta dashur jetën. Duke sikur gjithë kohën e sfidoni veten me gjithçka që ju rrethon. Dua të di se si do të jenë ditët e ardhshme, por dhe vitet e ardhshme të jetës suaj me dashurinë e pamasë për artin. Çfarë keni në duar dhe çfarë do sillni së shpejti për lexuesit, për kundruesit e pikturë, për dëgjuesit në muzikë. Unë e di që nuk ka mbetur asgjë nga rregjistrimet tuaja me violinçel, po mbase keni menduar që ngandonjëherë t’i riktheheni dashurisë suaj të parë?
Lekë Tasi: Vështirësia është këtu te kallot. Është një tundim shumë i fortë që të marrë me qira një volinçel edhe t’i kthehem disa pjesëve që unë kisha arritur t’i zotëroj. Nuk e di nëse do t’i arrij. Edhe disa gjëra i kam në dosje për t’i botuar.
Egla Xhemalaj: Keni shkrime që presin dritën e botimit?
Lekë Tasi: Po, kam shkrime.
Egla Xhemalaj: Në prozë apo në poezi?
Lekë Tasi: Në poezi kam dhe në prozë që fare kollaj mund ti botoj. Mjafton të kem kohë. Jam shumë i dhënë pas jetës.
Egla Xhemalaj: Po me pikturën po merreni ndërkohë? Do ketë ndonjë ekspozitë?
Lekë Tasi: Po, po merrem. Do ketë piktura ndrysha nga e kaluara.
© SYRI.net