Mjekë, infermierë dhe stafi i shërbimit shëndetësor në spitalet publike të vendit kanë ngritur shqetësimin e vonesës së pagave të dhjetorit, të cilat ende nuk janë shpërndarë.
Kjo është një situatë që përsëritet çdo fillim viti dhe ende nuk ka zgjidhje, pavarësisht ankesave nga stafi shëndetësor.
Teksa duhet të ishin paguar që në fillim të muajit janar, personeli shëndetësor në spitalet publike të vendit nuk ka marrë ende pagën e dhjetorit, një situatë e përsëritur çdo fillim viti.
Në kushtet kur shpenzimet janë tepër të larta dhe pagat po u vonohen, personeli shëndetësor ka pasur ankesa të shumta në lidhje me këtë situatë. Edhe në vitet e mëparshme pagat e dhjetorit për këtë kategori janë shpërndarë në harkun kohor 20-25 janar, pasi duhet të pritet kalimi i buxhetit të vitit të ri. Kjo vonesë ndodh për shkak të zgjatjes së procedurave me pagat, të cilat pritet të kalojnë në Thesar e më pas të transferohen në llogaritë bankare.
Kjo situatë raportohet në të gjitha spitalet publike të vendit, përfshirë Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet.
Në kushtet kur ende nuk ka një datë se kur mund të merren pagat dhe ky problem përsëritet prej vitesh në këtë periudhë, personeli shëndetësor kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë dhe marrjen e masave për të siguruar një proces të rregullt dhe të drejtë të shpërndarjes së pagave.
© SYRI.net