VIDEO/ Mjerimi migjenian në shkollat e Pukës, 5 orë në këmbë për pak mësim

20:49, 24/11/2023
A+ Aa A-

Në një kohë kur çdo prind shqetësohet për ecurinë e fëmijëve të vet në shkollë, cilësinë e mësimdhënies, praninë e psikologëve, oficerë të sigurisë apo për kushtet bazike nëpër klasa, në Shqipërinë e fundvitit 2023 ekziston edhe një realitet tjetër; një vend ku shkollimi kthehet thuajse në një mision të pamundur e ku vargjet e Migjenit janë ende aktuale.

Dhe rastësisht kjo ndodh në Pukë, në vendlindjen e Lulit të vocërr. Më saktë në fshatin Blerim, të rrethit Pukë. Në këtë zonë, të bekuar nga bukuritë natyrore e ku koha duket se ka mbetur në vend, një duzinë fëmijësh sfidon largësinë e mundimshme dhe kushtet e vështira atmosferike për të shkuar në shkollë, edhe pse u duhet të ecin çdo ditë rreth 5 orë në këmbë.

Shkak është bërë mungesa e një mjeti transporti, për t’i çuar të vegjlit në destinacion.

Pamundësi, që natyrisht shkaktojnë keqardhje tek ata pak banorë të varfër të zonës, të mbetur të pashpresë, për të ardhmen e pasardhësve të tyre. Çdo mëngjes, këta fëmijë të grupmoshave nga 5 deri në 12 vjeç, dalin nga shtëpitë e tyre dhe bëhen gati për t’u nisur së bashku drejt vendit të dijes, në një kalvar të mundimshëm, që pakkush do ta besonte, nëse nuk do ta shihte nga afër.

Pylli i rrezikshëm është e vetmja mundësi, që ata kanë për të shkuar në shkollë.

Rrugëtimi nis nëpër një shteg të ngushtë të pyllit, për t’u çarë me këmbë. Fëmijët ecin njëri pas tjetrit mes baltës, në të cilën nëse për një çast, tregohesh i pakujdesshëm mund të rrëshqasësh poshtë, në një terren tejet të rrezikshëm.

ër më tepër, këpucët e tyre janë të papërshtatshme për të përshkuar vende të tilla. Disa hapa më tej, na pret një tjetër pengesë akoma dhe më e madhe: Duhet të kalojnë përroin, përmes një peme të sajuar, si urë. E ndërsa vazhdojmë udhëtimin, para nesh shfaqet një tjetër urë, pastaj një tjetër dhe disa minuta më vonë edhe një tjetër.

Me të kaluar të 5 urat e improvizuara nga banorët e zonës, vështirësitë sa vijnë e shtohen për këta fëmijë, të cilët bëjnë të pamundurën për të marr dije. Tashmë fëmijët ngjisin një reliev malor. Por kjo malore e vështirë, nuk i tremb aspak ata. Frika e tyre më e madhe janë kafshët e egra të pyllit.

Më në fund, pas gjithë asaj odiseje, që zgjati rreth dy orë e gjysmë mbërrijmë në shkollën 9 vjeçare ‘Demokracia’.

Godinë e amortizuar, me një çati thuajse të rrënuar. Për të mos folur për kushte në ambientet e brendshme. E ndërsa kushtet skandaloze të VC-së së shkollës, pa ujë, me një derë që vetëm derë nuk mund të quhet, pa kushte minimale higjienike, është vetëm një nga kërkesat e panumërta të këtyre banorëve, thirrja e tyre primare mbetet transporti i fëmijëve.

Ndërsa drejtuesit e institucioneve shtetërore premtojnë arsim cilësor, ajo çka realisht ndodh në shkollat e komunave të izoluara të veriut të vendit duket absurde dhe e pakuptimtë. E vetmja sfidë përballë kësaj letargjie institucionale mbetet dëshira e madhe e këtyre fëmijëve për të marrë dije.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco