Sot, Gjermania, Spanja dhe Belgjika debutojnë në Katar, pritet spektakël në Kroaci-Marok

Sot, Gjermania, Spanja dhe Belgjika debutojnë në Katar, pritet spektakël në Kroaci-Marok

09:13, 23/11/2022
A+ Aa A-

Kupa e Botës në Katar vazhdon sot me katër ndeshje të reja. Të katërta ndeshjet pritet të jenë mjaft të bukura, por padyshim më interesantja është ajo mes Marokut dhe Kroacisë, e cila nis në orën 11:00.

Kroacia është favorit i lehtë në këtë ndeshje, pasi ka një skuadër më cilësore dhe është në formë fantastike. Ata e përfunduan Ligën e Kombeve në mesin e këtij viti me katër fitore të mëdha (kundër Austrisë, Francës dhe dy herë Danimarkës) dhe kështu paralajmëruan gjëra të mëdha në kampionatin ku do të mbrojnë vendin e dytë të fituar në Rusi katër vite më parë.

Nga ana tjetër, Maroku iu përkushtua ndeshjeve miqësore dhe kështu nuk pësoi asnjë humbje në pesë prej tyre. Ata përjetuan një ndryshim të madh gjatë vitit dhe me ndryshimin e trajnerit, kur për të përmbushur dëshirat e publikut, e shkarkoi ekspertin boshnjak, Vahid Halilhovic. Ndeshja e sotme do të tregojë nëse do të jetë lëvizja e duhur për Marokun.

Gjermania do të luajë kundër Japonisë në orën 14:00 dhe pritet fitorja e katër herë kampionëve të botës. Gjermanët nuk bënë emër në ndeshjet e Ligës së Kombeve sepse në katër duelet e fundit grumbulluan vetëm pesë pikë. Gjithsesi, pritet që i kanë zgjidhur problemet që kanë pasur dhe do ta kenë paksa më të lehtë punën me Japoninë, e cila së fundmi ka shfaqur mjaft të meta në humbjen në një ndeshje miqësore ndaj Kanadasë.

Puna më e lehtë sot, të paktën në letër, e ka Spanja, e cila do të përballet me Kosta Rikën. Shumë po i projektojnë spanjollët në gjysmëfinalet e Kupës së Botës dhe ndaj kostarikanëve të dobët, çdo gjë përveç një fitoreje bindëse do të ishte e barabartë me sensacionin që Arabia Saudite prodhoi dje kundër Argjentinës.

Belgjika, që takohet me Kanadanë, duhet të ketë punën më të vështirë nga tre favoritët. Një paralajmërim i veçantë erdhi për belgët së fundmi kur humbën ndaj Egjiptit në një ndeshje miqësore, por sot do të ketë një motiv shumë më të madh në ndeshjen e këtij kompeticioni madhor. Belgjika do të jetë pa shërbimet e Romelu Lukakut për shkak të një dëmtimi në kofshë, por ende ka një numër të madh lojtarësh cilësorë, prandaj duhet të mposhtin Kanadanë, e cila pas shumë kohësh u rikthye në Botëror.

Orari:

Marok - Kroaci 11:00

Gjermani - Japoni 14:00

Spanjë - Kosta Rika 17:00

Belgjikë - Kanada 20:00

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco