Nga Ndriçim Kulla
Në traditën shqiptare, besa nuk ishte slogan, nuk ishte program, nuk ishte markë politike dhe nuk ishte as premtim elektoral. Ajo nuk shpallej, sepse nuk kishte nevojë të shpallej. Ajo provohej. Kanuni nuk e ngriti besën në piedestal për shkak të bukurisë së saj gjuhësore, por sepse mbi të ndërtohej vetë mundësia e bashkëjetesës. Fjala e dhënë vlente më shumë se vula, më shumë se arma dhe shpeshherë më shumë se vetë jeta. Kur jepej besa, pushonin hasmëritë; kur jepej besa, udhëtari kalonte i sigurt; kur jepej besa, shtëpia e armikut bëhej po aq e paprekshme sa shtëpia e mikut. Ajo ishte institucioni moral që lindte përpara shtetit dhe mbijetonte edhe kur shteti mungonte. Pikërisht për këtë arsye, pesha e kësaj fjale nuk mund të bartet lehtësisht në tribunat e e politikës së qeverisjes së Kanye West sot , pa u përballur me pyetjen themelore: a mund të kërkohet besë nga ai që nuk ka ndërtuar më parë besim?
Kjo është nyja filozofike e problemit. Besimi nuk lind nga emërtimi, por nga përvoja. Njeriu nuk beson sepse dëgjon një fjalë të bukur; ai beson sepse ka parë një marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet fjalës dhe veprimit. Kur kjo marrëdhënie është e prishur , edhe fjalët më fisnike fillojnë të humbin shkëlqimin e tyre dhe rrezikojnë të bëhen pjesë e inflacionit moral që prodhon politika. Historia njeh shumë regjime si ky i Edi Ramës sot në Shqipëri i cili, në momentet e stër lodhjes së tij, po kërkon të ringjall legjitimitetin duke ndryshuar gjuhën, duke shpikur emra të rinj, duke huazuar simbole kombëtare ose duke rikthyer në qarkullim nocione që dikur kishin peshë etike. Por historia njeh po aq mirë edhe faktin se asnjë pushtet nuk ka mundur të zgjasë jetën e tij vetëm duke ndryshuar fjalorin.
Këtu fillon edhe atmosfera paradoksale që të kujton edhe një here botën e Kafkës, ku qytetari në qeverinë e Edi Ramës endet nëpër korridore të pafundme ku çdo derë mban një emër fisnik, por pas saj nuk gjendet ajo që emri premton por e kundërta . Ai dëgjon për besë, ndërsa kërkon transparencë; dëgjon për marrëveshje morale, ndërsa pret llogaridhënie; dëgjon për fillime të reja, ndërsa përballet me pyetje të vjetra që vazhdojnë të mbeten pa përgjigje. Në këtë univers, fjala fillon të ndahet nga sendi që përfaqëson dhe shqiptari mbetet përballë një boshllëku ku nuk pse duhet të besojë atë që sheh apo atë që dëgjon. Kjo është tragjedia e këtij pushteti që fillon të mbështetet më shumë te simboli sesa te substanca: në fund simboli nuk arrin më ta mbulojë mungesën e substancës, por përkundrazi e bën atë edhe më të dukshme.
Prandaj problemi nuk është fjala "Besa" që premtoi Edi Rama në spektaklin e një plaforme gjoja të re. Problemi është nëse një shoqëri mund ta rikthejë besimin vetëm përmes një fjale, ndërkohë që besimi ndërtohet përditë nga transparenca, përgjegjësia dhe gatishmëria për të dhënë llogari. Nuk e di në se kryeministri ka lexuar më shumë se titijt e kapitujve të Kodit zakonor për të kuptuar kuptimin etik të fjalës besë, por në traditën shqiptare, besa nuk ishte vetëm e drejta për të kërkuar besim; ajo ishte para së gjithash detyrimi për ta merituar atë. Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet kodit të Kanunit dhe logjikës së marketingut politik. Kanuni nuk njihte besë pa përgjegjësi. Politika moderne shpesh tundon të besojë se mjafton përgjegjësia e fjalës që në rastin e kryeministrit shqiptar është maska e gënjeshtrës. Historia shqiptare, megjithatë, e njeh shumë mirë dallimin ndërmjet të dyjave.
Madje, sa më shumë që politika përpiqet ta përdorë një fjalë të shenjtë si instrument komunikimi, aq më shumë lind dyshimi se nuk është fjala ajo që kërkon të shpëtojë realitetin, por realiteti që po kërkon të shpëtojë veten pas hijes së një fjale. Në këtë kuptim, "Besa" nuk është thjesht një emër i zgjedhur për një platformë politike; ajo shndërrohet në një provë filozofike për vetë marrëdhënien midis pushtetit dhe së vërtetës.Ky pushtet, ka hyrë thellë në fazën e tij të konsumimit moral dhe fillon të besojë se mund ta riparojë krizën e besimit duke restauruar gjuhën, sikur fjalët të ishin tulla me të cilat mund të rindërtohej godina e rrënuar e autoritetit. Por historia e qytetërimeve na mëson pikërisht të kundërtën: nuk janë fjalët që shpëtojnë institucionet, por institucionet që mbrojnë dinjitetin e fjalëve. Kur institucionet dobësohen, edhe fjalët më të shenjta fillojnë të enden si hije pa trup.
Prandaj është e pamundur të mos kujtohet se në Kanunin shqiptar besa nuk ishte një nocion estetik, as një ornament kulturor që nxirrej nga arka e traditës sa herë që duhej zbukuruar një ligjërim publik. Ajo ishte një detyrim që e kufizonte vetë pushtetin e individit mbi tjetrin. Ai që jepte besën hiqte dorë përkohësisht nga e drejta e forcës; ai vendoste mbi veten një kufi moral. Pikërisht këtu qëndron madhështia e saj. Besa nuk e zgjeronte pushtetin e njeriut,por e kufizonte atë. Në këtë pikë tradita shqiptare shfaqet shumë më moderne sesa shumë teori bashkëkohore të qeverisjes, sepse e kuptonte se autoriteti nuk fitohet duke grumbulluar fuqi, por duke pranuar kufijtë moralë të saj.Pra,çuditërisht Edi Rama duket qartë se kërkon ndihmë pushteti edhe nga besa.
Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për ta përdorur besën si metaforë politike ngjall menjëherë një pykëpyetje të pashmangshme: ku fillon kufiri moral i pushtetit? Nëse besa është premtim, atëherë premtimi kërkon kujtesë; nëse është marrëveshje, ajo kërkon barazi ndërmjet palëve; nëse është besim, ai kërkon transparencë. Pa këto tri shtylla, fjala mbetet vetëm tingull. Dhe tingulli, sado i bukur të jetë, nuk ndërton dot besueshmëri. Përkundrazi, sa më shpesh të përsëritet pa u mbështetur në përvojën e qytetarëve, aq më shumë rrezikon të prodhojë efektin e kundërt: jo afrim, por largim; jo besim, por lodhje; jo shpresë, por indiferencë.
Ndoshta paradoksi më i madh i kohës sonë është se politika vazhdon të kërkojë besim pikërisht në epokën kur qytetari ka më shumë mundësi se kurrë për të krahasuar fjalën me faktin. Në kohën e Kanunit, fjala udhëtonte më shpejt se lajmi; sot lajmi udhëton më shpejt se fjala. Çdo premtim përballet menjëherë me kujtesën kolektive, me dokumentin, me arkivin, me kronikën e përditshme. Kjo e bën shumë më të vështirë rikthimin e besimit vetëm përmes simbolikës. Në një shoqëri të hapur, memoria nuk është më privilegj i historianit; ajo është bërë përvojë e përditshme e qytetarit. Pikërisht për këtë arsye, emrat nuk kanë më fuqinë magjike që kishin dikur. Ata nuk mund të ndryshojnë përmbajtjen e një marrëdhënieje të konsumuar.
Kafka do ta kishte përshkruar këtë ndoshta si një ndërtesë gjigante ku mbi çdo derë shkruhet "Besë", ndërsa njerëzit vazhdojnë të enden korridoreve pa gjetur askënd që t'u përgjigjet pyetjeve të tyre. Jo sepse mungojnë zyrat, por sepse mungon përgjigjja; jo sepse mungojnë fjalët, por sepse mungon lidhja midis fjalës dhe së vërtetës. Kjo është drama e autokracisë sotme shqiptare ku: njeriu nuk shtypet vetëm nga dhuna, por edhe nga pafundësia e procedurave, nga mjegulla e paqartësisë dhe nga ndjesia se gjithçka është e pranishme, përveç asaj që ai kërkon me të vërtetë. Kur kjo atmosferë zbret në politikë, qytetari nuk ndihet më pjesë e shtetit; ai ndihet vizitor në një ndërtesë ku çdo korridor të çon te një derë tjetër, por asnjëherë te e vërteta.
Dhe ndoshta këtu qëndron dallimi më i madh ndërmjet besës së Kanunit dhe besës së shpallur në nga tribunat e spektaklit politike të Edu Ramës. E para ishte një marrëdhënie që lindte nga sakrifica personale dhe përfundonte te besimi kolektiv. E dyta buron me sforco nga një marrëdhënie që lind nga nevoja e pushtetit për legjitimitet dhe kërkon të përfundojë te besimi pa kaluar më parë nga prova morale.
© SYRI.net