‘Jo’ Besës së Edi Ramës, qytetarët vijojnë revoltën në ditën e 56-të, kërkohet dorëheqja e kryeministrit

‘Jo’ Besës së Edi Ramës, qytetarët vijojnë revoltën në ditën e 56-të, kërkohet dorëheqja e kryeministrit

16:46, 25/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protesta kundër Edi Ramës dhe ku kërkohet dorëheqja e tij hyn sot në ditën e saj të 56-të, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në mbrëmje para godinës së Kryeministrisë për të vijuar tubimet e përditshme.

Gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë, aktivistët dhe qytetarët reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, prezantoi ‘Besën’, duke e cilësuar atë si një përpjekje për një marrëveshje të re me qytetarët.

Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, protestuesit deklaruan se nuk e pranojnë këtë mesazh, duke theksuar se, qeveria e ka humbur tashmë besimin e qytetarëve.

Në fjalimet e mbajtura gjatë tubimit, aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar përmes nismave të reja politike, ndërsa ritheksuan se objektivi i protestës mbetet i pandryshuar.

Sipas tyre, qytetarët nuk kërkojnë platforma, premtime apo dokumente të reja, por dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit deklaruan gjithashtu se, pas largimit të tij nga detyra, duhet të ketë përballje me drejtësinë dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që, sipas tyre, do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në përfundim të tubimit, qytetarët zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke brohoritur ‘Rama ik’, ‘Dorëheqje’ dhe ‘Shqipëria nuk dorëzohet’.

Edhe këtë mbrëmje protestuesit pritet të rikthehen para Kryeministrisë për ditën e 56-të radhazi, duke përsëritur se nuk do t'i ndalin protestat derisa të realizohet kërkesa e tyre kryesore: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco