Në mbyllje të bashkëbisedimit me qytetarët online, Lideri i opozitës, Sali Berisha ftoi të gjithë shqiptarët për të mbështetur protestën qytetare e cila për hir të së vërtetës e ka falimentuar Edi Ramën.
Berisha theksoi se është në duart e gjithsecilit të investojë të gjithë forcën, entuziazmin, vendosmërinë dhe guximin në këtë protestë qytetare dhe të jetë kjo një protestë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.
"Ju falënderoj shumë për pyetjet, komentet dhe mirëpres çdo vërejtje, sugjerim nga ju të dashur qytetarë dhe qytetare.
Por do ta mbyll me një thirrje: të bëjmë gjithçka për të mbështetur këtë protestë qytetare.
Ua them me bindjen më të madhe dhe në interesin tuaj më të madh se nuk ka investim më të rëndësishëm, më fisnik sesa investimi në suksesin e një proteste rinore qytetare.
Është, mendoj unë, detyrimi më i madh i çdo qytetari që beson se ka përgjegjësi për veten, familjen, komunitetin, shoqërinë dhe kombin.
Ndaj dhe kam thirrje për çdo anëtar, për çdo simpatizant, për çdo mbështetës dhe mbështetëse të Partisë Demokratike dhe për çdo qytetar: të bëjë gjithçka, për të ndarë nga koha e tij, në mbështetje të kësaj proteste, e cila për hir të së vërtetës e ka falimentuar Edi Ramën.
Unë kisha deklaruar në mënyrë të përsëritur se ne e plagosëm atë rëndë, por tani mund t'ju them se është i plagosur fatalisht.
Ai nuk ka më shpresë.
Ndaj dhe është në duart tuaja, të gjithsecilit prej jush, të investojë të gjithë forcën, entuziazmin, vendosmërinë dhe guximin në këtë protestë qytetare dhe të jetë kjo një protestë e suksesit shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët" tha Berisha.
Kreu i PD-së, nënvizoi se Edi Rama nuk është kryeministër legjitim dhe mbështeti kërkesat e protestuesve që prej gati 2 muajsh kërkojnë dorëheqjen e shefit të qeverisë.
Gjatë bashkëbisedimit më qytetarët, Berisha ftoi qytetarët që reformën territoriale të mos e lënë në duart e Edi Ramës por të bashkohen me kryengritjen popullore deri në largimin e tij. Berisha tha se narko-euro ka goditur sektorët kyç të ekonomisë dhe është faktor themelor për nivelin e lartë të çmimeve në vend.
© SYRI.net