Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 46-të kundër qeverisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

VIDEO/ Tela: SPAK duhet të japë përgjigje, korrupsioni nuk luftohet vetëm me akuza ndaj zyrtarëve të lartë

18:31, 15/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV ka komentuar situatën politike në vend, rolin e SPAK-ut, protestat e opozitës dhe vëmendjen e shtuar të mediave ndërkombëtare ndaj Shqipërisë.

Tela u shpreh se disa prej operacioneve të fundit të drejtësisë janë bazuar në prova të siguruara nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si po përballet SPAK me fenomenet e korrupsionit dhe krimit në vend.

Sipas Telës, ngritja e akuzave ndaj ish-presidentit, kryetarëve të bashkive apo zyrtarëve të lartë mund të shihet si një arritje, por sfida kryesore mbetet lufta ndaj korrupsionit të përditshëm në administratë dhe krimit zgjedhor.

Duke folur për protestat e opozitës, Tela tha se një prej efekteve më të rëndësishme të tyre ka qenë vëmendja e shtuar e mediave të huaja ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Sipas gazetarit, më parë raportimet për Shqipërinë në mediat e huaja ishin kryesisht periferike dhe shpesh të fokusuara te turizmi apo zhvillimet pozitive, ndërsa tashmë fokusi është zhvendosur te korrupsioni, konfliktet politike dhe çështjet e drejtësisë.

Ai solli si shembull rastet kur kompani të caktuara kanë arritur të realizojnë projekte pas ndryshimeve ligjore që u kanë hapur rrugën investimeve të kontestuara.

‘Edhe këto tre operacionet janë me prova të ardhura përtej detit. Se po të ishte për SPAK-un, do ekzistonte perceptimi publik që pastrohen paratë, por nuk kemi prova, na sillni prova. Se kështu është, kështu kanë thënë të gjithë, për çdo veprimtari, SPAK-u thotë: ‘Ne po rrimë në zyrë, ju na sillni provat edhe ne në bazë të këtyre provave do arrijmë një përfundim, duhet çuar në gjykatë apo duhet akuzuar dikush.’

Kam përshtypjen se e konsiderojnë histori suksesi ngritjen e akuzave ndaj ish-presidentit, kryetarit të bashkisë, disa zyrtarëve të lartë. Por koha po kalon. Pra, nuk është thjesht çështja që ngritën akuza ndaj atyre, është çështja për të luftuar atë që ndodh çdo ditë në terrenin shqiptar, pra korrupsionin nëpër zyra dhe krimin zgjedhor. Edhe te krimi zgjedhor...

Po, por këtu tani kalojmë te merita e protestës. Pra, nëse ka një meritë të madhe protesta, është fakti që mediat më të mëdha ndërkombëtare kanë kthyer sytë nga Shqipëria dhe po shohin të vërtetën e asaj që ndodh në Shqipëri dhe po pasqyrojnë atë të vërtetë.

Pra, nëse deri dje shkrimet për Shqipërinë ishin periferike, të shkurtra, në shumicën e rasteve pozitive për turizmin shqiptar e të tjera si këto, të lobuara ato shkrime...

Pati disa shkrime gjatë kohës që protestonte opozita, apo për hir të molotovëve që donin një arsye pse po hidhen këto molotovë. Në këtë rast, mediat më të rëndësishme të Evropës dhe të përtej oqeanit po shkruajnë për atë që ndodh realisht në Shqipëri dhe ata nuk e dinin.

Sepse nuk do kishte arsye të dinte një media ndërkombëtare që një kompani shqiptare kishte porositur një arkitekt të huaj për të ndërtuar një resort në një vend ku nuk lejohej ndërtimi, dhe më pas ndryshohet ligji që ky resort të ndërtohej.

Dhe për këtë arsye shkakton habi te ta, se si është e mundur që te një vend që aspiron për të hyrë në BE, që po bën gati letrat për të hyrë në BE, të ndodhin këto veprimtari. Të jetë një libër i madh me gjithë ato projekte për t'u zbatuar në Shqipëri, të jetë ky korrupsion galopant, të jetë kjo arrogancë qeveritare, të kenë dalë njerëzit në rrugë, dhe mbi të gjitha këtyre pastaj i shtohet ai trafiku i famshëm i kokainës që grupet shqiptare kryejnë nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës dhe paratë i kanë lehtësisht për t'i pastruar në Shqipëri.

Pra, e gjithë kjo amalgamë ngjarjesh dhe faktesh tronditën median e huaj, dhe ajo atje nuk është si këtu. Se këtu ndoshta media nuk reagon, por atje mediat kur pasqyrojnë diçka, politikanët aty duhet të reagojnë. Për këtë arsye edhe maxhoranca është bërë nervoze me gjithë këtë histori, dhe duket te sjellja e individëve të saj, e deputetëve të ndryshëm në raport me gazetarët, në raport me protestën. Por pjesa më e rëndësishme këtu i takon SPAK-ut. Është SPAK-u tani që duhet të përgjigjet’, tha Andi Tela ndër të tjera në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco